Drejtori i Klinikës Universitare për Sëmundje të Fëmijëve, Rexhep Memedi, ka reaguar ndaj thashethemeve dhe informacioneve jozyrtare që po qarkullojnë për Klinikën e Fëmijëve, duke i cilësuar ato si tendencioze dhe të motivuara politikisht. Për të ndarë të vërtetën dhe për të informuar publikun me të dhëna të sakta, ai ka paraqitur statistika zyrtare që hedhin dritë mbi përmirësimin e situatës së vdekshmërisë në Klinikë.
Sipas Memedit, në vitet e kaluara, vdekshmëria në Klinikën e Fëmijëve ishte deri në tre herë më e lartë se këtë vit, me një mesatare deri në 9 vdekje në muaj. Ai përmendi se këto të dhëna janë një tregues i qartë i ndryshimeve pozitive që po ndodhin në Klinikë gjatë mandatit të tij si u.d. drejtor. Memedi njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme do të mbajë një konferencë për shtyp për të prezantuar detaje të tjera mbi këtë situatë.
Memedi theksoi se gjatë katër muajve të tij në drejtim, ka hasur në probleme të grumbulluara ndër vite në Klinikë, disa prej të cilave përbëjnë rreziqe të mëdha për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve. Ai tha se këto probleme janë trajtuar me urgjencë dhe aktualisht ndodhen në fazën e sanimit.
Për fund, drejtori i Klinikës Universitare për Sëmundje të Fëmijëve premtoi se opinioni publik do të jetë i informuar rregullisht për përmirësimet dhe projektet në vazhdim në këtë institucion jetik për shëndetin e fëmijëve.