Aktivitetin e vizitoi edhe kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, i cili u ndal në secilën stendë, bisedoi me nxënësit dhe u njoh nga afër me projektet e realizuara. Ai përgëzoi nxënësit për kreativitetin, aftësitë teknologjike dhe përkushtimin e tyre, duke vlerësuar punën e Digital School Dibër në zhvillimin e talenteve të reja
Vjollca SADIKU
Dibër, 3 korrik – Në një kohë kur teknologjia po formëson të ardhmen e arsimit dhe tregut të punës, të rinjtë dibranë po dëshmojnë se me mbështetjen dhe edukimin e duhur mund të jenë pjesë e kësaj bote inovative. Projektet e prezantuara në “Tech Expo 2026” treguan se kreativiteti, programimi dhe idetë moderne nuk janë më privilegj i qendrave të mëdha urbane, por po zhvillohen me sukses edhe në Dibër.
Në Qendrën për Kulturë në Dibër u mbajt aktiviteti jubilar me rastin e pesë vjetorit të themelimit të Digital School Dibër – Tech Expo 2026. Në këtë aktivitet u theksua se hapja e kësaj shkolle ka krijuar mundësi të reja për zhvillimin e kreativitetit, inovacionit dhe aftësive teknologjike tek fëmijët dhe të rinjtë e Dibrës. Pas ceremonisë së hapjes, u organizua ekspozita teknologjike, ku 35 nxënës prezantuan projektet e tyre para prindërve, përfaqësuesve të institucioneve, drejtorëve të shkollave, mësimdhënësve dhe mysafirëve të shumtë.
Koordinatorja e Digital School Dibër, Adisa Mullarexha, bëri të ditur se gjatë vitit shkollor nxënësit kanë punuar në dhjetëra projekte praktike, duke kaluar nga idetë fillestare deri te zhvillimi i aplikacioneve funksionale. “Gjatë vitit shkollor, nxënësit kanë punuar në dhjetëra projekte praktike. Në Tech Expo ata prezantuan punën e tyre përmes demonstrimeve të drejtpërdrejta, duke shpjeguar mënyrën e funksionimit të secilit projekt dhe teknologjitë e përdorura”, tha Mullarexha.
Sipas saj, projektet përfshinin sisteme për menaxhimin e punonjësve dhe bizneseve, platforma për biblioteka digjitale, aplikacione për kërkimin e universiteteve dhe orientimin në karrierë, platforma për rezervimin dhe menaxhimin e shërbimeve, sisteme për shitblerjen e automjeteve me kërkim sipas numrit VIN, ueb-faqe moderne me dizajn “responsive”, projekte “Front-End” të zhvilluara me HTML, CSS dhe JavaScript, lojëra edukative dhe interaktive të programuara në Code dhe Sprite Lab, si dhe projekte kreative të realizuara nga nxënësit më të vegjël, të cilët hodhën hapat e parë në botën e programimit. “Çdo projekt ishte rezultat i punës shumëjavore të nxënësve, të cilët kaluan nëpër procesin e planifikimit, dizajnimit, programimit, testimit dhe prezantimit profesional të zgjidhjeve të tyre. Për ta bërë përvojën sa më interaktive, secili projekt ishte i pajisur me një QR Code, përmes të cilit vizitorët mund ta hapnin projektin në telefon ose kompjuter dhe ta eksploronin edhe pas përfundimit të prezantimit”, shtoi Mullarexha.
Aktivitetin e vizitoi edhe kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, i cili u ndal në secilën stendë, bisedoi me nxënësit dhe u njoh nga afër me projektet e realizuara. Ai përgëzoi nxënësit për kreativitetin, aftësitë teknologjike dhe përkushtimin e tyre, duke vlerësuar punën e Digital School Dibër në zhvillimin e talenteve të reja.
Sipas organizatorëve, “Tech Expo 2026” nuk ishte vetëm një ekspozitë teknologjike, por një dëshmi konkrete se të rinjtë dibranë, kur u ofrohen mundësitë dhe mbështetja e nevojshme, janë të aftë të krijojnë projekte moderne dhe funksionale, të krahasueshme me ato që zhvillohen në shkolla dhe akademi teknologjike shumë më të mëdha. Në përfundim të aktivitetit, të gjithë nxënësit u pajisën me certifikata për pjesëmarrjen dhe prezantimin e suksesshëm të projekteve të tyre, duke kurorëzuar një vit të mbushur me mësim, përkushtim dhe zhvillim profesional. Pesëvjetori i Digital School Dibër konfirmoi edhe një herë se investimi në edukimin digjital të brezit të ri është investim në të ardhmen e qytetit, duke krijuar gjenerata të reja të përgatitura për sfidat e ekonomisë dhe teknologjisë moderne.koha. mk

