Ç’synon sulmi i koordinuar ndaj Islamit në Shqipëri e Kosovë?

4 Min. Leximi

Në Shqipëri dhe Kosovë po ndërtohet një klimë ku çdo ngjarje që lidhet me terrorizmin, sigurinë apo Islamin rrezikon të përdoret përtej fakteve që ajo mbart.

Kërcënimet e fundit me bomba ndaj disa institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, “dosja” e Fatmir Shehollit në Kosovë dhe deklaratat për një të ashtuquajtur “radikalizim islamik” kërkojnë hetim serioz.

Por ato nuk mund të shndërrohen automatikisht në prova për një kërcënim të gjerë politik apo fetar. Disa institucione, mes tyre SPAK-u, Gjykata e Lezhës dhe institucione të drejtësisë në Elbasan, morën dje kërcënime për bomba.

Godinat u kontrolluan, aktiviteti u ndërpre në disa raste, por nuk u gjet eksploziv. Gjurmët elektronike të raportuara çojnë drejt Argjentinës dhe Brazilit, por kjo nuk provon se autorët ndodhen atje.

Një gjurmë teknike është pistë hetimi, jo dëshmi autorësie. Ajo që kërkon vëmendje është konteksti. Prej muajsh, protestat kundër qeverisë kanë mbledhur qytetarë me bindje dhe profile të ndryshme, përfshirë edhe aktivistë e besimtarë myslimanë.

Ata kanë dalë në rrugë për çështje politike e shoqërore: korrupsionin, klientelizmin, keqqeverisjen, shpopullimin dhe mbrojtjen e interesave publike.

Megjithatë, disa zëra mediatikë pranë pushtetit kanë zgjedhur t’i shohin këta qytetarë përmes etiketës “Islam politik”. Prania e myslimanëve në protesta paraqitet si diçka e dyshimtë, ndërsa protestat tentohen të lidhen me modele politike të vendeve arabe.

Ky është një thjeshtëzim i rrezikshëm, spekulativ dhe dashakeq. Besimi fetar nuk është program politik dhe një protestë nuk bëhet “islamike” sepse në të marrin pjesë muslimanë.

Në Kosovë, e ashtuquajtura “dosja Fatmir Sheholli” ka sjellë pretendime të bujshme për bashkëpunim me BIA-n serbe dhe për përpjekje për ndikim në procese politike. Këto akuza duhet të hetohen dhe gjykohen mbi prova.

Nëse në dosje ekzistojnë elementë që lidhen me radikalizimin ose destabilizimin, ato duhet të trajtohen individualisht dhe juridikisht, jo të shndërrohen në dyshim dhe linçim ndaj një komuniteti të tërë fetar.

Po aq serioze janë edhe pretendimet e disa ditëve më parë të ish-punonjëses së FBI-së, Sibel Edmonds, për një skenar të mundshëm provokimi ndaj protestave në Tiranë. Ajo ka pretenduar se armë dhe operativë mund të kanalizohen drejt Shqipërisë për të shkaktuar një incident që më pas do t’u faturohej protestuesve.

Nuk ka prova publike që këto pretendime janë të vërteta, ndaj ato duhen trajtuar ende si pretendime. Por nëse ekzistojnë të dhëna konkrete, autoritetet duhet t’i hetojnë.

Sepse rreziku më i madh do të ishte që një incident real apo i sajuar të përdorej për ta kthyer protestën qytetare në “çështje sigurie”, për ta lidhur me terrorizmin dhe për të prodhuar një justifikim të ri politik.

Prandaj duhet të ketë zero tolerancë ndaj kërcënimeve reale, terrorizmit dhe çdo rrjeti të huaj që tenton të destabilizojë vendin. Por duhet të ketë po aq zero tolerancë ndaj përdorimit politik të frikës.

Nëse ka terroristë, ata duhet të gjenden. Nëse ka rrjete të huaja, kjo duhet të provohet. Nëse ka tentativa për provokim, ato duhet të zbulohen. Por një email nuk është provë, një etiketë nuk është akuzë dhe një besim fetar nuk është faj.

Pyetja e vërtetë është më e madhe: kush përfiton nga një klimë ku besimtari musliman shihet me dyshim, protesta trajtohet si kërcënim dhe frika nga terrorizmi përdoret për të zëvendësuar debatin politik dhe jo vetëm mbi problemet e vërteta që kanë qytetarët në Shqipëri dhe Kosovë? \tesheshi.com\

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull