Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar lidhur me debatin për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë, veçanërisht për konkursin për Akademinë Policore, e cila po rikthehet pas 26 vitesh.
Përmes një statusi në Facebook, Iseni thotë se çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë është një përgjegjësi që duhet marrë seriozisht dhe se çdo proces që ndikon në këtë përfaqësim duhet të zhvillohet me transparencë dhe mbi bazën e fakteve.
“Por sot duhet të flasim me fakte, jo me propagandë”, shkruan Iseni.
Ai thekson se që nga fillimi i procesit është bërë thirrje që sa më shumë të rinj shqiptarë të aplikojnë në konkursin për Akademinë Policore dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Megjithatë, sipas Isenit, interesimi i shqiptarëve për këtë konkurs nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive, ndërsa një pjesë e kandidatëve që kanë aplikuar nuk janë paraqitur në fazën e testimit dhe, rrjedhimisht, janë tërhequr nga gara.
Iseni e konsideron të pandershme politikisht deklarimin se shqiptarët janë “përjashtuar”, pa u bërë e qartë se sa kanë aplikuar, sa kanë vazhduar procesin dhe sa kanë përmbushur kriteret e përcaktuara.
“Ne nuk do të lejojmë që një proces institucional të shfrytëzohet për të krijuar ndjenjën e përjashtimit te qytetari shqiptar”, shprehet Iseni.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme thekson se qëndrimi i tij është për përfaqësim real, mundësi të barabarta dhe qasje të drejtë të shqiptarëve në çdo institucion.
Në fund të reagimit, Iseni i drejtohet edhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke i bërë thirrje që të mos e përdorë këtë çështje për përfitime politike.
“BDI-së i themi: Mos e përdorni interesin e shqiptarëve për politikë ditore”, përfundon Iseni.

