Shkup, 28 gusht – Këshilltari i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Këshillin e Komunës së Butelit, Armend Murseli, ka ngritur shqetësimin për mospranimin e disa nxënësve në klasën e parë në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski-Penko”, si dhe për mbylljen e një paraleleje me mësim në gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA.
Në një konferencë për media, Murseli tha se dita e parë e shkollës duhet të jetë ditë gëzimi, veçanërisht për fëmijët që këtë vit nisin klasën e parë, por se për disa fëmijë dhe prindër në Komunën e Butelit ky fillim po shndërrohet në zhgënjim dhe shqetësim.
Sipas tij, disa fëmijë nuk janë pranuar në SHF “Petar Zdravkovski-Penko”, me arsyetimin se nuk i përkasin rajonit që mbulon kjo shkollë. Megjithatë, ai pretendon se për disa nxënës të tjerë janë bërë përjashtime, duke iu mundësuar regjistrimi në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase dhe turke, pa ndalesa ose kufizime.
Murseli vlerësoi se një praktikë e tillë selektive krijon dyshime të bazuara për diskriminim etnik.
“Si grup këshilltarësh në Komunën e Butelit, sot jemi këtu për ta ngritur zërin dhe për të kërkuar trajtim të barabartë për çdo fëmijë”, deklaroi Murseli. Ai theksoi se në këtë shkollë ka prindër, fëmijët më të mëdhenj të të cilëve tashmë e ndjekin mësimin, ndërsa fëmijëve më të vegjël këtë vit nuk u është lejuar të regjistrohen në të njëjtën shkollë. Sipas tij, me këtë vendim prindërit detyrohen t’i dërgojnë fëmijët e tyre në një shkollë tjetër.
Murseli tha se edhe më shqetësues është informacioni se në SHF “Petar Zdravkovski-Penko” është marrë vendim për mbylljen e një paraleleje me mësim në gjuhën shqipe. Ai pretendon se një masë e tillë nuk është zbatuar edhe ndaj paraleleve me mësim në gjuhën maqedonase, ndonëse, sipas tij, disa prej tyre kanë numër shumë të vogël nxënësish, nga klasa e dytë deri në klasën e nëntë.
“Pyetja jonë është: Pse nuk bëhet bashkimi i paraleleve në një, ashtu siç pretendon ministrja e Arsimit? Nëse veprohet mbi bazën e këtij kriteri, atëherë duhet të mbyllen edhe tetë paralele maqedonase. Mirëpo, në këtë rast po ndodh e kundërta: po mbyllet vetëm paralelja shqipe dhe jo edhe ato maqedonase”, deklaroi Murseli.
Sipas tij, SHF “Petar Zdravkovski-Penko” numëron mbi 1700 nxënës, prej të cilëve rreth 90 për qind janë shqiptarë. Për këtë arsye, ai pyeti se si mund të mbyllet një paralele me mësim në gjuhën shqipe në një shkollë ku shumicën dërrmuese të nxënësve e përbëjnë shqiptarët.
Murseli iu referua edhe të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, sipas të cilave, siç tha ai, në Komunën e Butelit ka gjithsej 5276 nxënës, prej të cilëve 2971 janë shqiptarë. Kjo nënkupton se nxënësit shqiptarë përbëjnë mbi 56 për qind të numrit të përgjithshëm të nxënësve në këtë komunë. Sipas tij, këto të dhëna tregojnë se paralelet me mësim në gjuhën shqipe nuk duhet të mbyllen, por duhet të hapen paralele të reja, pasi numri i nxënësve në paralelet ekzistuese është i madh.
“Nuk mund të ketë një standard për paralelet shqipe dhe një standard tjetër për paralelet maqedonase”, theksoi këshilltari i BDI-së.
Ai kërkoi nga institucionet kompetente që ta shqyrtojnë me seriozitet situatën e krijuar, ankesat e prindërve, kriteret që janë zbatuar gjatë regjistrimit të nxënësve dhe vendimin për mbylljen e paraleles me mësim në gjuhën shqipe. Njëkohësisht, Murseli kërkoi që drejtuesit e SHF “Petar Zdravkovski-Penko” t’i pranojnë dhe t’i shqyrtojnë përsëri të gjitha kërkesat e refuzuara për regjistrimin e nxënësve, si dhe ta rikthejnë paralelen e mbyllur në gjuhën shqipe.
“Ne nuk kërkojmë privilegj. Kërkojmë barazi dhe mundësi të njëjta për çdo fëmijë. Shqetësimi i prindërve është shqetësim i të gjithëve. Çdo fëmijë ka të drejtën e arsimit dhe asnjë fëmijë nuk duhet të ndihet i refuzuar ose i diskriminuar”, deklaroi Murseli. (koha.mk)

