Reagon Toska: Turp t’u vijë, drejtoreshë dhe shumicë shqiptare, mbyllni paralele shqipe!

2 Min. Leximi

Deputetja e BDI-së, Dijana Toska ka reaguar kundër mbylljes së paraleleve në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore “Penko” në Komunën e Butelit, duke kërkuar rishikimin e menjëhershëm të vendimit dhe përgjegjësi nga drejtuesit e institucionit.

Toska tha se bëhet fjalë për shkollën ku edhe ajo e ka përfunduar arsimin fillor, ndërsa vlerësoi se sot – fëmijëve shqiptarë po u krijohen pengesa për të mësuar në gjuhën e tyre amtare.

“Nuk qëndrojnë justifikimet administrative, numrat apo adresat e familjeve, sepse fëmijët shqiptarë janë aty dhe të drejtat e tyre nuk janë në diskrecionin e askujt”, deklaroi Toska.

Ajo e cilësoi si veçanërisht shqetësues faktin që drejtoresha e shkollës, Mevlide Kryeziu, është shqiptare.

Në cilësinë e deputetes opozitare, Toska kërkoi përgjegjësi të menjëhershme dhe rishikimin e vendimit, duke theksuar se, nëse ekziston kërkesë për paralele në gjuhën shqipe, institucionet kanë për detyrë t’i mundësojnë ato.

“Nëse ka kërkesë për paralele shqipe, detyra e institucioneve është të hapin dyert, jo t’i mbyllin ato. Gjuha shqipe nuk preket. Fëmijët tanë nuk përjashtohen. Shkolla publike nuk është pronë private e askujt. Përballë kësaj padrejtësie nuk do të heshtim”, thuhet në reagimin e Toskës.

Në fund, ajo e përmbylli reagimin me thirrjen: “Turp t’ju vijë!”.

Ndryshe, drejtoria e shkollës “Penko” ka vendosur të mbyllë një paralele shqipe, pasi siç thonë disa prindër – anëtarë të Këshillit të Prindërve, drejtoresha Mevlide Kryeziu ju ka thënë se ka presion nga kryetari i Komunës së Butelit. “Kam dy zgjidhje, ose të dorëhiqem, ose të mbyllë një paralele shqipe. Dhe, dorëheqje nuk jap”, mësohet tu ketë thënë drejtoresha prindërve shqiptarë. (koha.mk)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull