Imerlije Saliu: BDI hesht për pikëpyetjet rreth Alta Bankës, ndërsa kundërshton provimin e jurisprudencës në shqip

2 Min. Leximi

Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka kritikuar BDI-në për qëndrimin ndaj çështjes së Alta Bankës dhe reagimet e saj kundër mundësisë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe.

Në një status publik, Saliu ka vënë përballë dy çështjet, duke thënë se gjatë qeverisjes së BDI-së është sjellë kapital serb, ndërsa tani po mundësohet realizimi i një të drejte të studentëve shqiptarë, provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Ajo ka ngritur pikëpyetje për lidhjet e pretenduara familjare, shitblerjen e aksioneve dhe ndërmjetësimet e mundshme politike në rastin e Alta Bankës, duke kritikuar funksionarët e BDI-së për mungesë përgjigjesh.

“Kur janë në pyetje interesat materiale, BDI-së duket se nuk i pengojnë as krushqitë, as lidhjet me kapitalin serb e as pazaret me aksione. Por kur bëhet fjalë për të drejtat e shqiptarëve, çohen në këmbë të gjithë, i madh e i vogël, për të sulmuar edhe arritjet që u shërbejnë vetë shqiptarëve”, ka shkruar Saliu.

Deputetja e VLEN-it ka theksuar gjithashtu se edhe funksionarë të BDI-së e kanë dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën maqedonase gjatë kohës kur kjo parti ishte në pushtet.

Sipas saj, BDI-ja po tregohet më e zëshme në opozitë për çështjet kombëtare, ndërsa nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet e ngritura rreth transaksioneve me Alta Bankën.

“Ne po zgjidhim problemet e trashëguara. Ata le të japin përgjigje për pyetjet që sot nuk mund t’i mbulojë më heshtja”, ka përfunduar Saliu.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull