Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të 11 Shtatorit, në SHBA.
Me këtë rast Haxhiu ka thënë se qytetarët e Kosovës e përjetuan tragjedinë e vitit 2001 me një afërsi të veçantë.
Haxhiu ka deklaruar se sulmi i 11 Shtatorit u kuptua në Kosovë si sulm ndaj vlerave që, sipas saj, kishin qenë edhe në themel të mbështetjes amerikane për Kosovën.
“Ndërsa vetë sulmi u kuptua si sulm ndaj lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, vlerat që kishin qenë edhe në themel të mbështetjes amerikane për Kosovën. Disa qytetarë të Kosovës shkuan deri te zyra amerikane në Prishtinë dhe u paraqitën si vullnetarë për të luftuar përkrah ushtarëve amerikanë. Ishte një reagim i jashtëzakonshëm dhe spontan. Që tregonte sa afër e ndjente Kosova dhimbjen e Amerikës. 25 vjet pas 11 Shtatorit, e kemi një brez që nuk e ka jetuar atë ditë, për të 11 Shtatori është histori e mësuar nga rrëfimet e atyre që e përjetuan, nga fotografitë dhe nga pamjet që kanë mbetur të ngulitura në kujtesën e botës. Kjo është edhe arsyeja pse pas një çerek shekulli nuk mjafton vetëm t’i kujtojmë ata që humbën jetën, duhet t’u tregojmë edhe atyre që erdhën më pas se çfarë ndodhi atë ditë, sa shpejt mund të prishet rrjedha e zakonshme e jetës. Por edhe sa shumë mund të bëjë njeriu për njeriun në çastet e vështira”, ka deklaruar ajo, raporton EO. Ndërkohë Kurti ka thënë sulmi i 11 Shtatorit 2001 ishte ndër goditjet më të rënda ndaj vlerave demokratike.
“Sot jemi mbledhur këtu për të shënuar përvjetorin e 25 të atyre sulmeve. Para një çerek shekulli, katër avionë ishin shndërruar në armë të shkatërrimit masiv, me pasoja të tmerrshme. 2,977 ishte numri i të vrarëve atë ditë. Por numri i viktimave është edhe më i lartë. Sipas studiuesve, mbi 5,000 persona kanë vdekur nga sëmundjet dhe komplikimet e 11 shtatorit. Dhe mijëra e mijëra të tjerë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga këto pasoja”, ka theksuar Kurti.
Në përkujtim të kësaj date kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka thënë se sulmet ndaj Shteteve të Bashkuara ishin sulme ndaj jetës njerëzore dhe ndaj rendit të vlerave të ndërtuar mbi lirinë, demokracinë dhe dinjitetin njerëzor.
“Njëzet e pesë vjet më vonë, përkujtimi i viktimave riafirmon përkushtimin tonë ndaj këtyre vlerave. Demokracia është sistem institucionesh dhe kulturë e lirisë. Ajo kërkon përgjegjësi, solidaritet dhe qëndrueshmëri përballë atyre që synojnë ta zëvendësojnë lirinë me frikë”, ka shkruar Rama në Facebook.

