Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, gjatë vizitës në SPB Tetovë ka folur për dorëzimin e ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami, për të cilin tha se sot do të nxirret para procedurës paraprake.
Toshkovski tha se ngadalë të gjithë ata që kanë qenë në arrati do të dalin para ligjit.
“Në pikën kufitare është ndaluar personi që e përmendët dhe më pas do të merren të gjitha masat ligjore, ndërsa tani është dërguar në burgun e Shkupit. Gjatë ditës së sotme do të nxirret para gjykatësit të procedurës paraprake. Ngadalë të gjithë ata që ishin në arrati, po sigurohen dhe do të ballafaqohen me ligjet për ta treguar pafajësinë e tyre, ose Prokuroria për të dëshmuar fajësinë e tyre”, tha Toshkovski.
I pyetur për dhunën në mes tifo-grupeve në Tetovë, Toshkovski tha se MPB i merr të gjitha masat për të ruajtur sigurinë në vend.
“MPB është e gatshme për të gjitha sfidat, pavarësisht nëse bëhet fjalë për dhunë në mes grupeve etnike. Jam i sigurt se janë marrë të gjitha masat nga MPB. Në të ardhmen do të duhet të veprojmë edhe në mënyrë parandaluese. Institucionet duhet ta bëjnë punën e tyre”, tha Toshkovski.
Ai foli edhe për “Safe Cityn”, ndërsa theksoi se numri i kamerave do të rritet edhe në Tetovë edhe në qytetet tjera të vendit.

