Kasami më tej shtoi se ka një memorandum mes qeverisë dhe Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale për të vazhduar procesi i decentralizimit. Sipas tij, janë katër pjesë të decentralizimit të cilët në periudhën që pason duhet tu kalohen komunave
Urim HASIPI
Tetovë, 7 gusht – Procesi i decentralizimit që ka ngecur në vendnumëro në Maqedoninë e Veriut, sipas paralajmërimeve, pritet të ketë zhvillime të reja pozitive brenda këtij mandati të kryetarëve të komunave. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur për gazetën KOHA se Qeveria tashmë është duke kryer analiza konkrete për të vazhduar me kalimin e kompetencave të reja drejt pushtetit lokal. Sipas Kasamit, ndryshimi i qasjes së Qeverisë ka dhënë një impuls të fuqishëm praktik, veçanërisht përmes mbështetjes direkte financiare për projektet kapitale. Kreu i komunës së Tetovës nënvizoi se ndryshimi i qasjes së pushtetit qendror ka sjellë një efekt të menjëhershëm në rritjen e kapaciteteve realizuese të komunave. Ky ndikim, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me grantet qeveritare për investime kapitale.
“Tashmë në Qeveri po bëhen analiza për vazhdimin e dinamikës së këtij procesi dhe unë besoj që në këtë mandate të kryetarëve të komunave do të kemi zhvillime pozitive në drejtim të marrjes së kompetencave. Ajo që dua të theksoj se me ardhjen e kësaj qeveri pati një zhvillim që ka pasur efekt të fuqishëm në zhvillimin e komunave sa i përket decentralizimit dhe ajo ka të bëjë me financimin e projekteve kapitale nga ana e qeverisë dhe komunat projektet kapitale I realizojnë përmes këtij granti që është siguruar nga qeveria. Pra, jo vetëm në aspektin formal por edhe ligjor, por edhe në aspektin real dhe praktik kjo qeveri ka filluar me thellimin e procesit të decentralizimit dhe do të vazhdojë edhe më tej thellimin”, tha për KOHA, Kasami.
Ai më tej shtoi se ka një memorandum mes qeverisë dhe Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale për të vazhduar procesi i decentralizimit. Kasami u shpreh optimist se ky mandat i kryetarëve të komunave do të mbyllet me bilance pozitive dhe me një autonomi dukshëm më të rritur financiare e administrative për pushtetin lokal. Sipas tij janë katër pjesë të decentralizimit të cilët në periudhën që pason duhet tu kalohen komunave.
“Parashihet thellimi i decentralizimit në pjesën e kulturës, në pjesën e menaxhimit me pyjet, me tokat bujqësore, në pjesën me çështjet sociale, pra këto janë disa fusha ku parashihet të shtrihet më tej decentralizimi”, tha Kasami. Edhe pse krerët e komunave shpeshherë janë shprehur të gatshëm që të marrin më shumë përgjegjësi, megjithatë pushteti qendror heziton që të shpërndajë kompetenca më të mëdha. Ndryshe, procesi i decentralizimit në Maqedoni filloi në vitin 2002 dhe deri më tani janë bërë disa ndryshime në strukturën dhe financimin e pushtetit Lokal. (koha.mk)

