Bekim Qoku – Bujar Osmanit: Në momentet më kritike për Kosovën mbajte qëndrime që favorizonin Serbinë

2 Min. Leximi

Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar ashpër ndaj ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke e akuzuar atë për qëndrime të njëanshme në raport me zhvillimet në veri të Kosovës.

Në një postim publik, Qoku thotë se Osmani ka qenë “kampioni i diplomacisë neutrale shqiptare”, duke pretenduar se në disa raste ka treguar më shumë kujdes ndaj interesave të Beogradit sesa ndaj qëndrimeve të Kosovës.

Sipas Qokut, gjatë krizave në veri të Kosovës, Osmani ka përdorur vazhdimisht termin “shtensionim”, ndërsa kujton edhe deklaratën e tij pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, kur kishte paralajmëruar se Maqedonia e Veriut mund ta rishqyrtonte pjesëmarrjen në nismën e njohur si Open Balkan.

Deputeti i VLEN-it kritikon gjithashtu propozimin 9-pikësh të Osmanit për situatën në veri, duke vlerësuar se ai përputhej me kërkesat e Beogradit në një nga periudhat më të ndjeshme për Kosovën pas vitit 1999.

“Kur Kosova përballej me agresion, tensione dhe provokime të vazhdueshme, Bujar Osmani dilte me fjalorin e tij të preferuar diplomatik: shtensionim”, shkruan Qoku, duke e mbyllur reagimin me kritika të forta ndaj ish-shefit të diplomacisë.

Reagimi i Qokut vjen në kuadër të debateve të vazhdueshme politike mbi rolin dhe qëndrimet e ish-zyrtarëve të lartë shqiptarë në raport me zhvillimet në Kosovë dhe rajon. (INA)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull