“Jo gurë themeli, por gurë dekori”, mesazhi i i Selimit për Shasivarin

3 Min. Leximi

Analisti politik Sefer Selimi ka reaguar ashpër ndaj profesorit universitar Jeton Shasivari, duke e akuzuar atë se po shërben si mbrojtës publik i politikave qeveritare që, sipas tij, dëmtojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në një postim publik, Selimi vlerëson se kryeministri Hristijan Mickoski po i ekspozon vazhdimisht partnerët e tij shqiptarë përmes veprimeve dhe deklaratave politike, duke lënë të kuptohet se tashmë nevojitet një figurë tjetër për të justifikuar, siç thotë ai, pafuqinë e tyre dhe këmbënguljen për të mbetur pjesë e qeverisë.

Sipas Selimit, ky rol i është besuar profesorit Shazivari, të cilin e përshkruan si bashkëpunëtor të afërt të profesoreshës Karakamisheva dhe si një nga hartuesit e zgjidhjeve ligjore që, sipas tij, paraqiten si arritje historike, por që në thelb prodhojnë pasoja negative për shqiptarët.

Postimi i plotë i Sefer Selimit:

E di shumë mirë Edi

Meqë Mickoski ua merr publikisht fytyrën partnerëve të vet, të cilët vetë i përzgjodhi për të “përfaqësuar” shqiptarët – herë me veprime politike e herë me deklarata publike – duket se u duhet një fytyrë tjetër “më kredibile” për ta mbrojtur pafuqinë dhe këmbënguljen për të qëndruar me çdo kusht në qeveri.

Këtë rol, siç duket ia paskan ndarë prof. Shazivarit, kolegut të ngushtë të Karakamishevës dhe hartuesit të gjysmë-zgjidhjeve e ligjeve skandaloze që shiten si “arritje historike”.

Me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, profesori si bashkautor dhe mbrojtës publik i tij po legjitimon diskriminimin. Ndërsa me propozimin gjysmak për provimin e jurisprudencës po degradon dhe zhvlerëson Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, duke e futur gjuhën shqipe në një labirint interpretimesh arbitrare e burokratike.

Më bie në sy fraza:

“…Nga Tetova e universiteteve dhe e qëndresës, mesazhi për Edi Ramën është i qartë: gurët tanë janë gurë të themelit kombëtar, jo të propagandës sate!…”

Vërtet Tetova është gur themeli kombëtar. Por gurët që përfaqëson dhe mbron ky profesor janë gurë pa flamur e pa himn kombëtar; janë gurë “etikë”, jo etnikë; janë të përzgjedhur, jo të zgjedhur.

Prandaj, nuk mund të jenë gurë themeli. Mund të jenë vetëm gurë dekori.

P.S. Referenca që bën Kryeministri Rama lidhet me sulmet hibride të dezinformimit, të cilat prodhohen, kurohen dhe shpërndahen edhe nga këto qendra propagandistike të vendosura në Tetovë dhe Kosovë për të manipuluar qytetarët e Shqipërisë. E di shumë mirë Edi!

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull