Mexhiti nga Brukseli: Integrimi në BE mbetet prioritet strategjik, komunat janë kyçe në procesin eurointegrues

2 Min. Leximi

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, po merr pjesë në sesionin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ (JCC), i cili po mbahet në Bruksel, në kuadër të Komitetit Evropian të Rajoneve.

Përmes një postimi publik, Mexhiti bëri të ditur se në këtë forum po marrin pjesë përfaqësues të pushtetit lokal dhe rajonal nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe nga vendet kandidate për anëtarësim.

Sipas tij, sesioni shërben si platformë për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe diskutimin e sfidave që lidhen me procesin e integrimit evropian, me theks të veçantë në rolin e pushtetit lokal.

“Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet strategjik i Maqedonisë së Veriut, ndërsa komunat kanë rol kyç si në procesin eurointegrues ashtu edhe në zbatimin e reformave”, ka theksuar Mexhiti.

Ai vlerësoi se pushteti lokal është partner i drejtpërdrejtë në përafrimin e standardeve lokale me ato evropiane dhe në përmbushjen e agjendës së integrimit.

Mexhiti nënvizoi se diskutimet në Bruksel janë përqendruar në rrugën drejt anëtarësimit të vendit në BE, vazhdimin e reformave dhe fuqizimin e rolit të komunave si hallkë e rëndësishme në afrimin e Maqedonisë së Veriut me familjen evropiane.

Pjesëmarrja në këtë forum, sipas tij, paraqet një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe rajonale në funksion të procesit të integrimit evropian.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull