Një raport i ri i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) ka ngritur alarmin se kushtet e punës po shkaktojnë krizë të heshtur globale shëndetësore.
Sipas këtij studimi, mbi 840 mijë njerëz humbin jetën çdo vit si pasojë e rreziqeve psikosociale në vendin e punës, ku faktorët kryesorë janë stresi, orët e gjata të punës, pasiguria në punësim dhe ngacmimet apo dhuna në ambientin profesional.
Raporti thekson se këto rreziqe lidhen ngushtë me sëmundjet kardiovaskulare dhe çrregullimet e shëndetit mendor, përfshirë edhe vetëvrasjet, raportoi të enjten “Euronews”.
Sipas ekspertes së ILO-së, Manal Azzi, rreziqet psikosociale po bëhen një nga sfidat më të mëdha për sigurinë dhe shëndetin në punë në botën moderne.
“Përmirësimi i mjedisit psikosocial në punë është thelbësor jo vetëm për mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor të punëtorëve, por edhe për rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, ka deklaruar ajo.
Organizata Botërore e Shëndetit ka vlerësuar se problemet më të zakonshme të shëndetit mendor përfshijnë depresionin, çrregullimet e ankthit, çrregullimet e gjumit dhe lodhjen kronike.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se stresi në punë shpesh çon në sjellje të pashëndetshme si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, ushqyerja e tepruar dhe mungesa e aktivitetit fizik, duke rritur rrezikun për obezitet, hipertension dhe sëmundje të tjera kronike.
Raporti identifikon disa nga shkaqet kryesore të dëmit në vendin e punës: orët e gjata të punës, ngacmimet, presioni i lartë, mungesa e balancës mes përpjekjes dhe shpërblimit, pasiguria në punë dhe dhuna.
Aktualisht, rreth 35% e punëtorëve në botë punojnë më shumë se 48 orë në javë, ndërsa puna mbi 55 orë në javë rrit ndjeshëm rrezikun për goditje në tru dhe sëmundje të zemrës.
Po ashtu, rreth 23% e punëtorëve në nivel global raportojnë se kanë përjetuar dhunë apo ngacmime gjatë jetës së tyre profesionale, ku dhuna psikologjike mbetet forma më e përhapur.
ILO-ja bën thirrje për masa urgjente për të përmirësuar kushtet e punës, veçanërisht në një kohë kur digjitalizimi, inteligjenca artificiale dhe format e reja të punës po ndryshojnë ndjeshëm mjedisin profesional.
Organizatat duhet të fokusohen në menaxhimin e ngarkesës së punës, qartësinë e roleve, numrin e stafit dhe orarin e punës.

