Berlin
Stafi tokësor i Lufthansa do të hyjë në grevë në aeroportet kryesore gjermane, njoftoi sindikata Verdi, transmeton Anadolu.
Punonjësit e Lufthansa do të ndalojnë punën nga ora 4 e mëngjesit me orën lokale (0300 GMT) të mërkurën deri në orën 7:10 të mëngjesit (0610 GMT) të enjten në aeroportet e Frankfurtit, Munich-ut, Berlinit, Hamburgut dhe Dusseldorfit, sipas deklaratës.
Negociatori i sindikatës Marvin Reschinsky kritikoi ashpër Lufthansa-n se dështoi që të dalë me një ofertë të pranueshme gjatë raundit të dytë të negociatave dhe tha se greva synon të rrisë presionin mbi menaxhmentin.
“Personeli tokësor i Lufthansa-s tashmë ka 10 për qind më pak në xhepat e tyre sesa tre vjet më parë. Pavarësisht fitimeve rekord, menaxhmenti ka dalë me një ofertë e cila vetëm do t’i përkeqësonte gjërat për punonjësit”, tha ai në një deklaratë.
“Greva do të ishte e panevojshme nëse Lufthansa do t’i jepte personelit tokësor të njëjtat rritje si të tjerëve. Megjithatë, nuk kishte vullnet që ta bënte këtë në tryezën e bisedimeve”, shtoi ai.
Sindikata, e cila përfaqëson rreth 25.000 personel tokësor të Lufthansa-s, po kërkon 12,5 për qind dhe jo më pak se 500 euro, rritje mujore të pagave, një bonus një herë prej 3.000 euro si kompensim ndaj krizës të kostos së jetesës.