Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, akuzon se protesta e sotme e Lidhjes së Sindikatave është një organizim i fshehur i opozitës. Deputeti Brane Petrushevski deklaroi se pas kërkesave të punëtorëve qëndrojnë zyrtarë të LSDM-së, të cilët sipas tij, kanë organizuar transportin e njerëzve nga qytetet si Tetova, Strumica dhe Kumanova. Sipas Petrushevskit, kjo lëvizje nuk është një luftë e vërtetë për të drejtat e punëtorëve, por një përpjekje e opozitës për të përfituar politikisht. Ai theksoi se pavarësisht që kërkesat e qytetarëve mund të jenë të drejta, mënyra se si po përdoren ato nga sindikata dhe partia opozitare është një mashtrim për opinionin publik.
“Dhe të gjithë këta, si dhe të tjerë nga LSDM-ja që janë në organizimin e protestës së sotme, në vend që të forcojnë partinë që po shkon drejt rrënimit, për të mos thënë zhdukjes, ata kanë vendosur të organizojnë protestat e LSM-së. Kërkesat e punëtorëve janë diçka tjetër dhe punëtorët kanë të drejtë të kërkojnë realizimin e tyre. Mirëpo, mënyra se si janë organizuar këto protesta sot, është çdo gjë tjetër përveçse aktivitet sindikal dhe luftë për realizimin e të drejtave të punëtorëve”, deklaroi Brane Petrushevski, deputet I VMRO-DPMNE.

