Blerand Ramadani braktis Aleancën për Shqiptarët dhe mbyll kapitullin politik

3 Min. Leximi

Blerand Ramadani ka njoftuar tërheqjen nga pozita e Sekretarit Gjeneral dhe nga angazhimi aktiv në strukturat partiake të Aleancës për Shqiptarët. Ai thekson se vendimi vjen pas një reflektimi profesional dhe personal mbi mënyrën se si mund t’i shërbejë më mirë shoqërisë.

Ramadani bëri të ditur se në mbledhjen e fundit të kryesisë ka votuar kundër dorëheqjes kolektive, duke e lidhur qëndrimin e tij me parimin e stabilitetit dhe ndërtimit mbi baza të forta. Megjithatë, ai shprehet se respekton vendimin e shumicës.

Në vijim, ai do ta përqendrojë veprimtarinë në fushën e shkencës dhe zhvillimit strategjik, duke e cilësuar këtë si ripozicionim dhe jo largim nga idealet. Një falënderim të veçantë ai e drejtoi për mbështetësit në Saraj, për besimin e dhënë.

NË SHËRBIM TË SHOQËRISË. NGA NJË HORIZONT I RI!

Të nderuar anëtarë të Aleancës për Shqiptarët, bashkëudhëtarë të idealit dhe qytetarë të lirë!

Sot, ndodhem në një pikëtakim vendimtar, ku ndërgjegjja profesionale më kërkon të rikalibroj mënyrën se si i shërbej shoqërisë.

Prandaj, njoftoj tërheqjen time nga pozita e Sekretarit Gjeneral dhe nga angazhimi aktiv në strukturat partiake. Ky vendim vjen si rrjedhojë e një reflektimi të thellë mbi parimet që më udhëheqin si njeri dhe si profesionist.

Dua të jem transparent me ju deri në fund: në mbledhjen e fundit të kryesisë, vota ime ishte dhe mbetet KUNDËR dorëheqjes kolektive.

Kjo votë nuk ishte mospajtim, por botëkuptim. Si inxhinier, unë besoj te strukturat që ngrihen mbi themele të forta, jo te logjika e rrëzimit për të rifilluar nga e para. Unë besoj te stabiliteti.
Megjithatë, demokracia është arti i respektimit të shumicës. Unë e pranoj këtë realitet dhe zgjedh të liroj rrugën me dinjitet, duke mbetur konsekuent në qëndrimet e mia.

Nga sot e tutje, energjinë time do ta kanalizoj aty ku vendi ka nevojë jetike: te Shkenca dhe Zhvillimi Strategjik. Kjo nuk është një lamtumirë nga idealet tona, por një bindje e thellë se një vend nuk lartësohet nga retorika e ditës, por nga forca e pakontestueshme e dijes dhe kompetencës.

Dhe për fund, por më e rëndësishmja, për SARAJIN: ajo që ndërtuam bashkë nuk matet me poste. Mbështetja juaj, ajo votë e pastër dhe e sinqertë që më dhuruat, është fitorja ime morale më e madhe. Atë besim e ruaj si kapitalin më të çmuar, si dëshmi se kur politika bëhet me zemër, njerëzit dinë të rreshtohen drejt.

Ky vendim nuk është një lamtumirë, por një ripozicionim. Unë nuk heq dorë nga vizioni për një shoqëri të drejtë.
Shihemi në betejat e radhës për parime!
Me respekt dhe mirënjohje,
Blerant Ramadani

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull