Ministria e Mjedisit nis luftën ndaj ndotjes së ajrit, Qeveria do të blejë 150 autobusë elektrikë

3 Min. Leximi

Ministri i Ambientit, Muhamet Hoxha paralajmëroi zero tolerancë për ndotësit dhe zbatimin e Ligjit të ri për kontrollin e emetimeve. Ligji i miratuar në shtator të 2025-ës do të hyjë në fuqi në shtator 2027, duke i lënë industrisë dy vjet kohë për përshtatje. Ky ligj bazohet në direktivat e BE-së dhe parashikon rregulla më të rrepta për lejet ekologjike A dhe B, si dhe detyrimin për të përdorur teknikat më të mira të disponueshme. Hoxha përmendi disa nga masat për institucionet dhe familjet që do të ndikojnë në uljen e ndotjes së ajrit. Do të vazhdoj zëvendësimi i sistemeve të ngrohjes me mazut dhe lëndë djegëse të ngurta nëpër institucione.

Për amvisëritë parashikohet zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore, gazifikimi dhe subvencione për pompa termike apo kaldaja me gaz me efikasitet të lartë. Kur bëhet fjalë për menaxhimin e mbeturinave, ministri njoftoi se po vijon procesi për qendrën rajonale në Novaci dhe stacionet e grumbullimit në Prilep, Ohër, Kërçovë dhe Dibër, gjë që do t’i japë fund deponisë në Meglenci. Nga Ekologjia thanë se një problem serioz mbetet mungesa e inspektorëve. Aktualisht, Inspektorati ka vetëm 25 vende të plotësuara nga 50 të parashikuara. Qytete si Kumanova, Manastiri dhe Prilepi nuk kanë asnjë inspektor mjedisor, ndërsa Ohri si zonë e UNESCO-s ka vetëm një që mbulon edhe Strugën e Resnjën.

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se Qeveria ka marrë vendim për blerjen e 150 autobusëve elektrikë, në kuadër të marrëveshjes “qeveri me qeveri” që Maqedonia ka me Hungarinë.

“Qëllimi ynë është të sigurojmë transport ekologjik aty ku ekziston transporti publik i organizuar. Prandaj kemi filluar procedurën për furnizimin me 150 autobusë elektrikë, të cilët përdorin energji pa ndikim të dëmshëm në mjedisin jetësor. Me këtë po investojmë në ajër të pastër dhe transport publik modern për qytetarët, e në të njëjtën kohë po ndjekim vizionin evropian për mobilitet të qëndrueshëm”, tha Mickoski.

Sipas Mickoskit, Qyteti i Shkupit do të marrë 100 automjete elektrike me 50 mbushës, ndërsa komunat e tjera me transport publik të organizuar do të marrin 50 autobusë me 25 mbushës./ Alsat.mk

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull