VLEN: Retorika e BDI-së i paraqet shqiptarët si të paaftë për ligj, rend dhe barazi!

2 Min. Leximi

Shkup, 29 janar – Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj akuzave të BDI-së, respektivisht Frontit Evropian, lidhur me projektin “Safe City” dhe Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke i cilësuar ato si kulmi i hipokrizisë politike dhe nënçmim të shqiptarëve.

Sipas VLEN-it, pretendimi se projekti “Safe City” po “zbraz xhepat e shqiptarëve” përçon një narrativë fyese dhe të rrezikshme, e cila i paraqet shqiptarët si qytetarë që nuk respektojnë ligjet, rregullat dhe standardet minimale të sigurisë.

“‘Safe City’ nuk është projekt ndëshkimi, por projekt rendi dhe mbrojtjeje të jetës. Kundërshtimi i sigurisë publike do të thotë mbështetje e kaosit dhe e privilegjeve të vjetra”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Koalicioni ka reaguar edhe ndaj kritikave të BDI-së për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke vlerësuar se deklaratat për vendosjen e “cilësisë para etnisë” nënkuptojnë padrejtësisht se shqiptarët janë pengesë për cilësinë në institucione.

VLEN thekson se ligji në fjalë nuk e ul cilësinë institucionale, por synon të mbyllë derën e diskriminimit dhe të garantojë barazi reale në përfaqësim, duke shtuar se barazia nuk është privilegj dhe se përfaqësimi i drejtë nuk duhet të jetë pazari partiak, siç ka ndodhur sipas tyre për dy dekada.

“Nuk do të heshtim përballë gjuhës përçmuese. Shqiptarët nuk janë problem për shtetin, por problem është politika 20-vjeçare e BDI-së që i ka përdorur ata si justifikim për dështimet e veta,” përfundon reagimi i VLEN-it.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull