Në bazë të një urdhri që prokurori publik e kërkoi dhe e siguroi nga gjykata kompetente, sot u krye një kontroll i detajuar në një lokacion në Negotinë, në shtëpinë e prindërve të gjyqtarit tashmë të dyshuar, ku të fshehura në një hapësirë të ndërtuar brenda murit deri në këtë moment janë gjetur 350.000 euro, për të cilat ekzistojnë dyshime se janë fituar dhe fshehur në mënyrë të paligjshme.
Kontrollet dhe veprimet e tjera hetimore vazhdojnë, ndërsa publiku do të njoftohet për rrjedhën e mëtejshme të procedurës., shkruan portali 4news.mk
Sipas informacioneve jozyrtare, rasti lidhet me dyshime për keqpërdorim të funksionit gjyqësor, por vepra konkrete penale ende nuk është bërë publike, pasi bastisjet janë ende në zhvillim.
Emri i gjyqtarit Gjoko Ristov më herët ishte lidhur me Fehmi Stafën, ish-avokat i popullit, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim për shkak të dyshimeve se ka marrë 50.000 euro ryshfet. Jozyrtarisht, bastisjet te Ristov po kryhen mbi baza që rrjedhin nga lënda në të cilën po ndiqet penalisht Stafa.
Siç kishte informuar më herët Prokuroria, në periudhën nga tetori deri më 13 dhjetor, i dyshuari Stafa ka pranuar gjithsej 50.000 euro me qëllim që të ndërmjetësonte dhe të ndikonte te një gjyqtar i Gjykatës së Apelit Shkup, lidhur me një lëndë që zhvillohej kundër klientit të tij, një person që ai e përfaqësonte si avokat. Menjëherë pas pranimit të parave, Stafa është privuar nga liria, ndërsa paratë janë gjetur dhe sekuestruar tek ai.
Personi për të cilin, sipas pretendimeve të prokurorisë, Stafa duhej të siguronte heqjen e masës së paraburgimit është i dyshuari në rastin “Zinxhiri”, Ljupço Pecov, i njohur me nofkën “Djalli”.
Nga Prokuroria paralajmërojnë se pas përfundimit të bastisjeve do të pasojnë informacione zyrtare për rrjedhën e mëtejshme të procedures.

