MSH: Projektligji për mbrojtje nga duhani nuk është goditje për gastronominë, por mbrojtje e së drejtës për një vend pune të shëndetshëm

2 Min. Leximi

Ministria e Shëndetësisë njofton se Projektligji për mbrojtje nga duhani, i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë, parashikon ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira publike dhe pune të mbyllura, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, transmeton Portalb.mk.

Sipas tyre, me këtë vendoset një rregull i qartë dhe universal që mbron të gjithë qytetarët, pa përjashtime dhe pa zona gri.

“Sipas standardeve të shëndetit publik, pirja e duhanit është një zgjedhje personale, por hapësira e përbashkët e mbyllur nuk duhet të jetë vend ku kjo zgjedhje shndërrohet në rrezik për shëndetin e të tjerëve. Ligji nuk rregullon nëse dikush do të pijë duhan, por përcakton qartë se ku kjo nuk lejohet, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të të gjithë të pranishmëve”, thonë nga MSH.

Ata sqarojnë se cilësia e ajrit në hapësirat e mbyllura lidhet drejtpërdrejt me rezultatet shëndetësore dhe se ajri i pastër nënkupton më pak irritime të rrugëve të frymëmarrjes, më pak sulme astmatike dhe rrezik të reduktuar për zhvillimin e sëmundjeve kronike.

Nga ministria theksojnë se në objektet hoteliero-gastronomike, pikërisht personeli është ai që ekspozohet më gjatë dhe më intensivisht ndaj tymit të cigareve dhe produkteve të tjera të duhanit dhe nikotinës, prandaj shteti ka një obligim të qartë për të mbrojtur të drejtën e të punësuarve për një mjedis pune të shëndetshëm dhe të sigurt.

“Përvojat nga vendet evropiane që tashmë kanë zbatuar zgjidhje të tilla ligjore, si Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe shumë të tjera, tregojnë se këto masa nuk përbëjnë goditje për gastronominë dhe të ardhurat e saj, por një tranzicion drejt një ambienti më të rregulluar, më cilësor dhe më të parashikueshëm në objektet hoteliero-gastronomike”, shpjegoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Ai shtoi se masa të tilla mundësojnë frekuentim më të madh nga familjet, turistët dhe qytetarët që preferojnë ajër të pastër, gjë që në afat të gjatë përfaqëson përfitim të drejtpërdrejtë edhe për vetë objektet gastronomike.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull