Studentët e Universitetit “Kadri Zeka” në vizitë te kryeparlamentari Afrim Gashi

2 Min. Leximi

Kryeparlamentari Afrim Gashi ka mirëpritur në një vizitë studentët e Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, duke theksuar rëndësinë e dialogut me të rinjtë dhe rolin e tyre në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme mes vendeve dhe popujve.

“Kënaqësi e veçantë të mirëprisja në vizitën e tyre kthyese studentët e Universitetit të Gjilanit ‘Kadri Zeka’”, ka shkruar Gashi, duke vlerësuar takimin si një hap domethënës drejt forcimit të mirëkuptimit të ndërsjellë.

Sipas tij, dialogu i hapur me studentët u shndërrua në një urë komunikimi dhe bashkëpunimi. “Ky dialog i hapur dhe konstruktiv me të rinjtë u shndërrua në një urë mirëkuptimi”, ka theksuar kryeparlamentari.

Gashi bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për angazhimin e tij në diplomacinë parlamentare. Ai vuri theks të veçantë në rëndësinë e bashkëpunimit me Kosovën. “Fola për forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të qëndrueshme me institucionet e Kosovës, si dhe për lidhjen vëllazërore mes popujve tanë”, u shpreh ai.

Në fund, kryeparlamentari nënvizoi se energjia dhe mendimi kritik i studentëve janë garanci për një diplomaci moderne dhe të qëndrueshme. “Energjia, kurioziteti dhe mendimi kritik i studentëve janë dëshmi e qartë se diplomacia e së ardhmes ndërtohet që sot, përmes dialogut të sinqertë me rininë”, përfundoi Gashi.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull