Shkup, 7 dhjetor – Periudhën e fundit çmimi i vezëve në Maqedoninë e Veriut është rritur ndjeshëm. Nëse para pak javësh nëpër markete një karton i vezëve kushtonte 250 denarë, sot e njëjta kushton të paktën 100 denarë më shumë. Qytetarët ankohen për këtë rritje të menjëhershme dhe thonë se është e papranueshme rritja e një produkti bazë. Institucionet arsyetohen.
Sipas analizës së Portalb.mk në terren, çmimi i një kartoni me 30 vezë në treg arrin deri në 350 denarë, ndërsa në markete e njëjta shkon deri në 369 denarë.
Qytetarët shprehen të revoltuar, duke thënë se kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm dhe se përballimi i shpenzimeve bazë po bëhet gjithnjë e më i vështirë.
“E shihni edhe vetë, ndër katër anëtarë në familje nuk jemi, dhe një paketë me 30 vezë, nuk na zgjat as një javë. Ajo shporta, sa thonë, paska kushtuar një mijë euro për katër persona. Ku janë ato një mijë euro? S’ka! Këto e gënjejnë vetveten, ndërsa neve po mundohen të na mashtrojnë, por jo”, tha një qytetar.
Qytetarë tjerë shprehen se vezët kanë çmim të shtrenjtë.
“Po, janë rritur pak, po le të rriten çmimet çka kemi me bërë? Ne t’i ruajnë pulat sa më shumë, dhe sa më shumë t’i ruajnë ato, aq më lirë janë”, tha një qytetar tjetër.
Biseduam edhe me një tregtar të vezëve, ai për Portalb.mk mk tha se çimimet janë rritur te të gjitha produktet dhe se sipas tij çmimet e vezëve janë normale.
“Jo, kanë qenë 250, tani janë bërë 350 denarë. Edhe qytetarët ankohen, por standardet janë rritur. Për shembull, një cigare është 10 denarë, një vezë 10 denarë, dhe mendoj se vezët nuk janë bërë luks. Çmimet e vezëve janë normale dhe nuk janë rritur, por janë rritur edhe çmimet e tjera, jo vetëm çmimi i vezëve”, tha tregtari .
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vllatko Stojkoski, theksoi se Ministria e Ekonomisë u bëri thirrje prodhuesve kryesorë të vezëve, dhe produkteve tjera të mishit të përzier për të diskutuar shpjegimet e tyre lidhur me rritjen e çmimeve.
“Pra, për këtë temë, Ministria e Ekonomisë u bëri thirrje atyre që të mos ketë rritje të caktuara të çmimeve të vezëve, dhe se ministria ka mbajtur një takim ku ishin të pranishëm prodhuesit më të mëdhenj të vezëve dhe të produkteve të tjera të mishit, ku ata dhanë shpjegime nga ana e tyre. Kjo është në thelb. Po, ka disa rritje të caktuara, por ne kemi vezët më të lira në Ballkan. Është bërë një analizë jashtë vendit, pra në Serbi, Shqipëri dhe Bullgari”, tha Stojkoski.
Ai shtoi, se sa i përket detajeve dhe arsyes së rritjes, për këtë është përgjegjëse Ministria e Ekonomisë.
Nga Ministria e Ekonomisë theksojnë se çmimi i vezëve është rritur drejtpërdrejt si rezultat i rritjes së kostove të prodhimit, dhe kryesisht të ushqimit për pulat.
“Në periudhën e fundit kemi vërejtur një rritje serioze të çmimeve në bursë të lëndëve kryesore të para, jo vetëm misrit, por edhe sojës, e cila është një nga përbërësit më të rëndësishëm në ushqimin e kombinuar për kafshët. Mungesa e misrit ka rritur më tej presionin, dhe ky trend është i pranishëm në nivel global, jo vetëm në vendin tonë”, thanë nga Ministria e Ekonomisë.
Nga ky institucion u arsyetuan se sipas të dhënave të tyre, Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë disa nga vezët më të lira në rajon.
Së fundmi, pasi nga Qeveria njoftuan se nuk do të ketë masa afatshkurtra, siç ishte shporta e Vitit të Ri e vitit të kaluar, Organizata e konsumatorëve paralajmëroi se institucionet dhe inspektimet kompetente duhet të jenë të pranishme në terren dhe të monitorojnë çmimet, veçanërisht produktet ushqimore, në mënyrë që të mund të ndërhyjnë në kohën e duhur nëse ka rritje të menjëhershme të çmimeve.

