Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Sali, ka njoftuar se së bashku me kryeparlamentarin, Afrim Gashi, deputetë të tjerë dhe në partneritet me Kryqin e Kuq, janë bashkuar aktiviteteve të organizuara me rastin e Ditës Botërore të Vullnetarizmit, duke theksuar rëndësinë e angazhimit vullnetar si një vlerë shoqërore dhe institucionale.
Sali bëri të ditur se në këtë ditë është shprehur mirënjohje për mbi 5000 vullnetarët që veprojnë aktivisht në terren, duke ofruar ndihmë të vazhdueshme në situata të vështira dhe emergjente. Ai theksoi se reagimi i vullnetarëve gjatë tragjedisë në Koçan mbetet një dëshmi e fuqisë së solidaritetit dhe humanizmit.
Në kuadër të aktiviteteve u nënshkrua edhe Deklarata Parlamentare për Mbështetjen e Vullnetarizmit, e cila synon forcimin e politikave institucionale që mbështesin punën e vullnetarëve dhe rritjen e efikasitetit të tyre në shërbim të qytetarëve.
Deputeti Bekim Sali përgëzoi të gjithë vullnetarët për kontributin e tyre të çmuar dhe uroi Ditën Botërore të Vullnetarizmit, duke nënvizuar se shoqëria funksionon më mirë kur solidariteti dhe përgjegjësia shndërrohen në vepra konkrete.

