Mexhiti: Kultura, prioritet më i lartë i Komunës së Çairit

3 Min. Leximi

Kultura do të jetë në prioritetet më të larta të Çairit, ka deklaruar sot kryetari Mexhiti në ekspozitën përmbyllëse të kolonisë artistike, duke paralajmëruar planet e ardhshme për iniciativat kulturore. Mexhiti tha se vlerësojmë që kultura mund të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik dhe lokal.

“Të sjellim edhe panairin e Librit të Tiranës të jetë në Shkup, hapjen e librarisë që i mungon viteve të fundit Çarshisë dhe Shkupit. Kemi parasysh se Çairi është bërë qytet studenti, me Inva Mulën u dakorduam që të krijojmë një pandan të Verës së Ohrit, mund të jetë festival i Çarshisë ose Vera e Çarshisë, që fillimisht të fillojë me Çairin, më pas të institucionalizohet në nivel qendror dhe të mbetet.”, – deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Edicioni i 8-të i kolonisë artistike, ekspozitë përmbyllëse në Komunën e Çairit

Në ekspozitën përmbyllëse të edicionit të 8-të të kolonisë artistike u ekspozuan pikturat e artistëve nga rajoni, të cilët kanë derdhur në Telajo peizazhet e Çarshisë dhe të kryeqytetit, të frymëzuara nga qëndrimi i tyre disaditor në Shkup. Organizatori nga Instituti i Librit dhe Promocionit në Tiranë e konsideron këtë veprimtari një publicitet të jashtëzakonshëm për Shkupin dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore.

“Imagjinoni se çfarë kontributi kanë dhënë piktorët e penelit nga i gjithë rajoni, jo vetëm nga Shqipëria dhe Maqedonia, që për 8 vite duke bërë një llogari të thjeshtë, rreth 45-50 piktorë, rreth 400 piktorë kanë kaluar në Shkup, vetëm gjatë këtyre viteve është një shifër për t’u shënuar.”, – theksoi organizatori i Kolonisë “Shkupi” në Telajo, Fatmir Toqi.

“Është një qytet ku ambienti të frymëzon, është qytet i pikturës. Është hera e dytë që vij në Shkup në koloninë e Shkupit dhe jam shumë e nderuar dhe e privilegjuar që marr pjesë në këtë koloni, ku piktorët e të gjitha trevave shqiptare jemi së bashku.”, – u shpreh piktorja, Merita Maloku.

Artistët falënderuan qytetarët për mikpritjen. Ekspozita mbetet e hapur për vizitorët në rrugët e Çarshisë. (Arlinda Baftiu, TVM2)

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull