“Qyteti i Sigurt” nis me 65 mijë shkelje në 12 orë

4 Min. Leximi

“Prej sot sistemi ‘Safe City ’ nis zbatimin e saj një mujorë në fazë testuese. Kamerat inteligjente do të monitorojnë 24/7 gjithçka, ndërsa autoritetet paralajmërojnë që kjo periudhë do të shërbejë për të testuar reagimin ndaj shkeljeve në kohë reale”, raporton gazetarja e Alsat, Ajnur Bafqari.

Në disa pika, ekipet teknike po kryenin rregullimet e fundit. Kontrollohet këndi i kamerave, funksionaliteti dhe sinjalet, me qëllim që të sigurohen që kamerat të jenë plotësisht në funksion.

Por teksa teknologjia nis punën qytetarët duket se ende nuk janë gati për të ndryshuar sjelljet në trafik. Në vetëm pak minuta xhirim, pamjet tregojnë të njëjtat shkelje të përditshme.

Disa qytetarë pranojnë se nuk ishin të informuar se kamerat kanë nisur të funksionojë, qoftë edhe vetëm si provë. Të tjerët shprehen skeptikë. Sipas tyre, vendosja e kamerave mund të shkaktojë më shumë kaos në trafik.

“A jeni të njoftuar që prej sot kamerat e sigurisë në rrugë janë lëshuar në përdorim?
-Jo… se di është hera e parë që dëgjoj… Patjetër edhe mos me pas kamera ne duhet të adaptohemi të kemi kujdes… Kemi nevojë ne vet të rregullohemi dhe jo të kemi kamera, duhet të vetërregullohemi”, tha një qytetar.

“Më shumë do të bëhen kolona, kanë me pas frik dhe bllokime tërë ditën do të ketë. E vështirësojnë ditën, punën e vështirësojnë, më ngadalë duhet të vozisim dhe kështu”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Po jemi të njoftuar në bazë të internetit…Kujdesi do të jetë pak më i madh por edhe ngarkesa e qytetit do të jetë shumë më e madhe. Çdokush nuk rrezikon tash në ngjyrën e gjelbër apo të portokalltë do të ndalen, në vend që të kalojnë 10 vetura, do të kalojnë 3-4 vetura, komunikacioni do të ngarkohet do të ketë kaos akoma më të madh”, theksoi një qytetar.

Sipas numrit një të policisë, Pançe Toshkovski, në vetëm 12 orët e para të funksionimit testues janë regjistruar 65 mijë shkelje, prej të cilave 2800 për kalim në të kuqe dhe 1000 për automjete të paregjistruara. Por derisa tani këta drejtues kanë marrë vetëm mesazhe paralajmëruese, nga 1 janari do të duhet që për këto shkelje të paguhen gjoba.

Por edhe pse zyrtarisht prej sot nisi zbatimi i fazës testuese, në redaksinë tonë një qytetar na ka dërguar dëshmi se kamerat i kanë regjistruar shkeljet edhe para datës 1 dhjetor.. Alsat mëson se qytetarët kanë pranuar mesazhe paralajmëruese, madje edhe prej datës 30 nëntor. Ndryshe, kështu duket një mesazh paralajmërues.

Në fazën e parë, sistemi do të regjistrojë tejkalimin e shpejtësisë, kalimin e semaforit të kuq, patentën e skaduar dhe parkimin e paligjshëm. Në fazën tjetër, spektri i shkeljeve është planifikuar të zgjerohet. Shkeljet që do të dokumentohen përmes sistemit “Qytet i sigurt”, ku pronarit të makinës, MPB i dërgon një sms porosi në telefon dhe në adresën elektronike me linkun për shkelje dhe urdhërpagesë për gjobën. / Alsat.mk

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull