Në vend të 1.000 denarëve për një porosi nga dyqanet online si Temu, AliExpress, së shpejti do të paguhen plus 3 euro ose 180 denarë të tjerë. Do të paguhet 18% TVSH për porositë nga jashtë që janë nën 22 euro, të cilat deri më tani ishin të përjashtuara. Ndryshimet në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dje kaluan filtrin e parë në Kuvend, ndërsa për të martën është caktuar seanca plenare ku deputetët duhet t’i miratojnë. Ligji do të hyjë në fuqi pas disa ditësh, pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Kjo do të thotë shtrenjtim për të gjitha produktet që deri më tani nuk ishin të tatueshme.
“Do të ketë një lloj ndikimi tek konsumatorët, sepse te ata do të rritet çmimi i produkteve që janë kryesisht të lira. Jo vetëm TVSH-ja, por edhe taksa administrative, d.m.th. transporti që arrin tek konsumatorët. Dhe pres që qytetarët tanë të kërkojnë ndoshta vende të tjera si zgjidhje për këto produkte ose diçka që ta mbështesë ekonominë e zezë”, tha Baush.
Vetëm në qershor, qytetarët maqedonas porositën 250 ton mallra përmes Temu. Nga këto, 95 ton ishin në vlerë nën 22 euro dhe për to nuk ishte paguar asgjë. Për mallrat e mbetura, shteti arkëtoi mbi 680 mijë euro tatime. Importi nga Kina deri në gusht të këtij viti u rrit për 15,7% ose në vend hyri mall kinez me vlerë rreth 800 milionë euro.
Sipas praktikës aktuale, për paketat deri në 22 euro nuk paguhen taksa, nga 22 deri në 45 euro paguhet vetëm TVSH, ndërsa mbi 45 euro llogaritet edhe dogana edhe TVSH.
Por sipas Baush, kjo masë nuk do të ketë ndikim të madh në ekonomi.
“Shteti mund të përfitojë nëse kemi deri diku 5 milionë shitje online, atëherë do të kishim diku 8 deri 12 milionë euro në buxhetin e shtetit. Pra, gjithsej masa është e pritshme, në kohë, por nuk do të ketë ndikim të madh në vetë ekonominë”, tha më tej Baush.
Ndërkaq edhe Evropa po vendos frenim doganor për shopping-un e lirë kinez. Bashkimi Evropian filloi procedurën për ndryshimin e rregullave doganore, e cila do të heqë plotësisht përjashtimin aktual nga taksat për paketat deri në 150 euro. Ministrat e Financave ranë dakord për heqjen e përjashtimit doganor që në tremujorin e parë të vitit 2026 – dy vjet më herët se sa ishte parashikuar fillimisht.

