Zeqirija Ibrahimi, një nga liderët e VLEN, tha sonte në Marshin në Tetovë se VLEN gjatë gjithë fushatës së saj ka folur për sukseset në pushtetin qendror, projektet e realizuara në nivel lokal dhe ofertën e VLEN për 4 vitet e ardhshme.
Ai theksoi se në këto zgjedhje është dëshmuar se shqiptarët kanë arritur një pjekuri të lartë demokratike që siç tha, “nuk e durojnë gjuhën e fyerjeve, ofendimit e denigrimit”.
“Ajo që më duhet ta them është se: Të hënën kryetar i ardhshëm i komunës së Tetovës do jetë kryetari aktual Bilall Kasami. Kanë mbetur edhe dy ditë bile më pak se aq të mblidhemi në këtë shesh dhe ta përurojmë kryetarin e ri e të vjetër dhe deri në atë kohë detyra jonë është siç jemi sonte, edhe të dielën ta dëshmojmë këtë me një pjekuri demokratike duke e votuar Bilallin. VLEN i pati dy Dauta që u bënë kryetarë komunash, dy Blerima që njëri u bë kryetar më 19-in e tjetri më 2 nëntor, kurse Tetova e ka vetëm një Bilall. Urime dhe suksese”, tha Ibrahimi.

