VIZITA E PRESIDENTES SË KE-së NË BALLKANIN PERËNDIMOR

4 Min. Leximi

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka realizuar një vizitë zyrtare në vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar çështjen e zgjerimit të BE-së me liderët e rajonit. Ajo mes tjerash në agjendën e saj kishte bisedimet për Planin e Rritjes, procesin eurointegrues dhe gërshetimin e politikave të vendeve të rajonit me politikën e jashtme të BE-së.

REKLAMIM I PAGUAR POLITIK

Gjatë qëndrimit të saj në Beograd ajo ka thurrur lëvdata të pamerituara për qeverisjen e Vuçiqit dhe se politika e jashtme e Serbisë qenka e sinkronizuar mbi 60% me atë të BE-së, mirëpo nevojitet me shumë me sanksionimin ndaj Rusisë. Presidentja e KE-së e ka motivuar dhe përkëdhelur tejmase Serbinë që orientimi i saj të jetë në BE dhe jo në Rusi, ndonëse Beogradi po shfrytëzon mbështetjet financiare nga BE (ndër to edhe nga Plani i Rritjes), ndërsa nuk e shkëput aleancën me Rusinë dhe vizitat tek Presidenti Putin tani më i ka publike dhe pa drojë.

Nga ana tjetër, me vizitën e Presidentes së KE-së në Kosovë, ku i takoi Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti në Prishtinën zyrtare, ka deklaruar më shumë kritika dhe vërejtje për Kosovën, sesa përkrahje dhe lehtësim drejt rrugës eurointegruese. Ajo ka theksuar se Kosova duhet t’i ul tensionet në rajon?!!! Për çfarë tensionesh po flet dhe a mos vallë i ka ndodhur ndonjë lapsus linguae (rrëshqitje në të shprehurit)?! Por nuk e besoj! Ajo e ka thënë këtë me vetëdije, por duke rezultuar me një gabim të madh diplomatik.

REKLAMIM I PAGUAR POLITIK

Aktori kryesor i ngritjes së tensioneve në Ballkanin Perëndimor për dekada me radhë ka qenë dhe vazhdon të jetë Serbia, vendi që znj. Von der Leyen e ka lavdëruar më së shumti. Politika e Beogradit është politikë destabilizuese dhe aspak e përputhur me politikën e jashtme të BE-së, e mos të flasim për sinkronizimin e ligjeve me ato të Unionit.

Është totalisht e padrejtë të kërkohet ulje tensionesh nga pala që ka qenë viktimë, i është bërë dëbim, vrasje dhe dhunim ndaj popullit të saj. Kosova çdoherë ka ngritur zërin që dëmet e Serbisë të merren parasysh nga institucionet ndërkombëtare dhe një realitet i tillë nuk është i vështirë për t’u kuptuar, pasiqë Serbia edhe sot vazhdon me politikat okupatore dhe proruse në rajon.

Presidentja Osmani ka vënë në theks edhe heqjen e masave kufizuese ndaj Kosovës, të cilat BE-ja padrejtësisht po i mban në fuqi nga qershori i vitit 2023, të futura në përgjigje të veprimeve të qeverisë së Kosovës, të cilat sipas Brukselit, shkaktuan tensione në rritje me komunitetin serb etnik në pjesën veriore të vendit.

Për fund, por jo më pak e rëndësishme, dëshiroj të theksoj se BE-ja nuk duhet ta trajtojë Kosovën ashtu siç realisht duhet trajtuar Serbia (destabilizuese dhe ngritës tensionesh). BE-ja duhet t’i bëjë shtypje Vuçiqit për përshpejtimin e dorëheqjes së tij, ardhjen e një qeverie pro-BE dhe bashkëpunuese me vendet e rajonit. Qasja e anshme e BE-së ndaj dialogut midis Kosovës dhe Serbisë është arsyeja pse ky dialog ka dështuar për më shumë se 10 vjet. BE-ja nuk duhet ta përkëdhel Serbinë dhe sundimtarin e saj shovinist Vuçiq, shërbëtorin e kriminelit të luftës dhe admiruesin e Millosheviqit dhe nuk duhet të ushtrojë presion mbi viktimën (KOSOVËN), sepse kjo nuk do të funksionojë kurrë. Politika e jashtme e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor duhet të ndryshojë kursin në raport me Serbinë, si shkaktari kryesor i destabilizimit në rajon, sepse në të kundërtën, BE-ja do të dështojë sërish dhe do ta humb kuptimin për çfarë është formuar.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull