Irlanda konfirmon se 16 shtetas të saj në flotiljen “Sumud” janë transferuar në qendrën izraelite të paraburgimit

2 Min. Leximi

Ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Harris, konfirmoi pas një takimi me zyrtarë të lartë se 16 shtetas irlandezë – ndër qindra aktivistë të ndaluar nga Izraeli në flotilën humanitare “Sumud” me destinacion Gazën – janë transferuar në një qendër paraburgimi në jug të Izraelit, transmeton Anadolu.

“Në këtë situatë, prioriteti im i qartë është siguria dhe mirëqenia e tyre”, theksoi ai pas takimit me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme.

Harris kujtoi se e ka theksuar disa herë se përpjekjet paqësore të atyre që ndodheshin në bord pasqyrojnë dëshirën e kuptueshme të shumë njerëzve në mbarë botën për të adresuar urgjentisht nevojat humanitare të popullit të Gazës.

Ai shtoi se një ekip i ambasadës irlandeze, përfshirë ambasadorin në Izrael, ndodhet aktualisht në qendrën e paraburgimit dhe po ofron gjithë ndihmën konsullore të mundshme dhe të përshtatshme, përfshirë sigurimin e përfaqësimit ligjor dhe lehtësimin e trajtimit mjekësor kur është e nevojshme.

Harris theksoi se zyrtarët në Dublin të Departamentit për Punët e Jashtme dhe Tregtinë janë gjithashtu në kontakt të ngushtë me familjet e atyre që kanë kërkuar mbështetje.

“Jam në dijeni se disa shtetas irlandezë po marrin pjesë në flotilje të tjera drejt Gazës dhe i kam dhënë udhëzime Departamentit tim të ndjekë nga afër zhvillimet e situatës”, shtoi ai.

Forcat detare izraelite sulmuan dhe sekuestruan anijet e flotiljes globale “Sumud” të enjten dhe të premten, duke ndaluar mbi 450 aktivistë nga më shumë se 50 vende. Flotila kishte për qëllim të dërgonte ndihma humanitare në Gaza dhe të sfidonte bllokadën izraelite ndaj enklavës.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull