Mexhiti jep lajmin e mirë për Hasanbegun: Nis rikonstruksioni i plotë i kanalit atmosferik

2 Min. Leximi

Hasanbegu më në fund po merr atë që e ka pritur për vite të tëra: ka nisur rikonstruksioni i plotë i kanalit atmosferik, një projekt jetik dhe i domosdoshëm. Ky është një investim që do të ndryshojë realitetin, do të sjellë siguri, mbrojtje dhe zhvillim për mijëra banorë.

Kjo ndërhyrje në këtë kanal, i cili ka gjatësi 1350 metra dhe gjerësi deri në 10 metra, do të krijojë barrikadën e fortë që do ta mbrojë Hasanbegun nga çdo rrezik i përmbytjeve. Është përgjigjja konkrete, ndonëse e vonuar, ndaj tragjedisë së vitit 2016, kur përmbytjet morën 23 jetë njerëzish, lanë pas dhimbje, shkatërrim dhe plagë të pashlyera. Atëherë, mungesa e investimeve dhe keqqeverisja e BDI-së i kushtoi Hasanbegut me jetë njerëzish. Sot, ne po tregojmë se jeta e qytetarëve është mbi gjithçka.

- Advertisement -

“Në shkurt paralajmërova se ky kanal do të rikonstruohet plotësisht. Sot, premtimi po bëhet realitet. Ky projekt madhor, në vlerë prej 38 milionë denarësh, po realizohet nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Komunën e Gazi Babës. Ky është shembulli më i qartë se kur qeveria bashkëpunon me komunat dhe i dëgjon qytetarët, jeta e tyre ndryshon rrënjësisht”, deklaroi Mexhiti, i cili shtoi se Hasanbegu ka paguar shumë shtrenjtë për shkak të neglizhencës së së kaluarës.

- Advertisement -

“Sot koha e harresës ka marrë fund. Ky investim është garanci për jetën, për pronën dhe për të ardhmen e banorëve. Me këtë projekt, po i japim fund frikës dhe pasigurisë, dhe po i hapim derën sigurisë, zhvillimit dhe besueshmërisë. Hasanbegu do të marrë jo vetëm këtë investim, por edhe të gjithë vëmendjen dhe kujdesin që gjithmonë i ka munguar, por që gjithmonë e ka merituar. Urime!”, tha Mexhiti.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull