Zgjerimi i “listës së zezë” me emra të rinj në RMV – Ambasada amerikane në Shkup jep detajet

4 Min. Leximi

Me afrimin e zgjedhjeve lokale dhe dinamizimin e fushatës parazgjedhore, kanë filluar të qarkullojnë sërish informacione jozyrtare për zgjerim të mundshëm të “listës së zezë” amerikane me politikanë nga Maqedonia e Veriut. Për momentin informacionet qarkullojnë kryesisht në rrjetet sociale, ku përmenden edhe emra të mundshëm të politikanëve, si dhe postohen fotografitë e tyre.

Lidhur me këto informacione, portali Lideri.mk nga Shkupi ka kërkuar qëndrim nga Ambasada amerikane në Shkup.

- Advertisement -

Siç edhe pritej, në përgjigjen e ambasadës nuk përmenden emra ose afate të caktuara kohore, por mund të vërehet qartë se çështja e “listës së zezë” nuk është proces i mbyllur dhe nuk mohohet mundësia që ajo të zgjerohet në vjjim.

- Advertisement -

“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë prej kohësh se korrupsioni minon demokracinë, dobëson sigurinë dhe pengon rritjen ekonomike. Përderisa nuk komentojmë për individë ose afate kohore specifike, procesi i shqyrtimit dhe adresimit të shqetësimeve kriminale transnacionale është aktiv dhe i vazhdueshëm”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane në Shkup.

Për shkak të akuzave për korrupsion dhe minim të proceseve demokratike, pjesë e “listës së zezë” amerikane për janë shumë figura nga vendi ynë. E në mesin e tyre ka politikanë, ish-kryeministra e ministra, kryetarë komunash, gjykatës. Disa gjenden aty me dekada të tëra, e disa janë bë pjesë e listës vitet e fundit. Por mundësia për zgjerim me emra të rinj është ende prezente. Kjo vërehet edhe në pjesën e dytë të përgiigjes së ambasadës amerikane ndaj pyetjeve të Lideri.mk, pjesë e cila është edhe më e ashpër se pjesa e parë.

“Asnjë aktor i korruptuar nuk duhet të marrë imunitet nga llogaridhënia. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjithë qeverinë, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të forcuar transparencën dhe për të luftuar kriminalitetin”, theksohet në përgjigjen nga Seksioni i Diplomacisë Publike pranë ambasadës së SHBA-së në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, SHBA sanksionon individë të tillë si pjesë e përpjekjeve të saj për promovimin e llogaridhënies dhe për luftimin e korrupsionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Listat e sanksioneve administrohen nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (Office of Foreign Assets Control – OFAC) në kuadër të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara. Këto lista përdoren për zbatimin e sanksioneve ekonomike dhe tregtare bazuar në qëllimet e politikës së jashtme të SHBA-ve dhe të sigurisë kombëtare.

Një nga listat kyçe është edhe Lista e Personave të Posaçëm të Përcaktuar dhe Bllokuar (Specially Designated Nationals – SDN list), e cila është më e famshmja dhe ku, në fakt, ndodhen shumica e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që janë nën sanksionet amerikane.

Kjo listë përmban individë dhe entitete, të cilëve u është kufizuar e drejta për të bërë biznes në Shtetet e Bashkuara për shkak të lidhjeve me terrorizmin, trafikimin e drogës ose abuzimet me të drejtat e njeriut. Personave që gjenden në këtë listë mund t’u bllokohen pronat, tu shqiptohet ndalesë për udhëtim në SHBA, ndërsa qytetarëve amerikanë u ndalohet të bëjnë biznes me ta.

Lista e sanksioneve sa i përket Ballkanit përfshin përcaktime sipas Urdhrit Ekzekutiv 13304, të lëshuar nga Presidenti i SHBA-ve, George W. Bush, më 29 maj të vitit 2003, si përgjigje ndaj paqëndrueshmërisë në Ballkan në atë kohë, sidomos pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990. Urdhri fillimisht ishte i orientuar drejt individëve dhe entiteteve të përfshira në pengimin e përpjekjeve për stabilizimin e rajonit pas luftërave.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull