Kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka theksuar rëndësinë e investimeve në arsimin parashkollor dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve si pjesë e vizionit të tij për komunën më dinamike të vendit.
“Çairi është komuna më dinamike në vend, me dendësinë më të madhe të popullsisë dhe me natalitetin më të lartë. Kjo është pasuria jonë më e madhe, por edhe përgjegjësia më e madhe: të sigurojmë përkujdesje të denjë dhe arsim cilësor që nga hapat e parë të jetës,” tha Mexhiti.
Ai rikujtoi hapjen e çerdhes më të madhe në shtet, “Bambi”, me kapacitet për 360 fëmijë, duke shtuar se janë marrë vendime edhe për ndërtimin e dy çerdheve të tjera, “Borëbardha” dhe “Vesëza”, secila me kapacitet për nga 300 fëmijë.
“Vetëm në këto tri çerdhe do të ofrojmë mundësi kujdesi për rreth 1.000 fëmijë, duke e zgjidhur përfundimisht mungesën e kapaciteteve për edukimin parashkollor,” deklaroi ai.
Sipas Mexhitit, ky projekt do të garantojë infrastrukturë moderne, barazi dhe përfshirje për çdo fëmijë, si dhe edukatore të motivuara që do të ofrojnë arsim cilësor e të qëndrueshëm.
“Kjo është mënyra jonë për të investuar në kapitalin njerëzor, në familjet tona dhe në të ardhmen e Çairit. Sot punojmë me vizion afatgjatë dhe përgjegjësi ndaj brezave që vijnë. Sepse fëmijët tanë VLEJNË!” përfundoi kandidati i VLEN-it.