Kandidati i AKI për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, zhvilloi sot një vizitë në lagjen rome të këtij territori, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të gjitha komuniteteve në zhvillimin urban dhe shoqëror të komunës.
“Vizitova një shtëpi modeste në zemër të Çairit, në një nga lagjet më të bukura nga pozicioni gjeografik, por ndërkohë më të neglizhuarat dhe më pak të urbanizuara,” deklaroi Osmani. Ai u prit nga banorët me ngrohtësi dhe besim, duke theksuar se pavarësisht mungesës së infrastrukturës, komuniteti atje ruan një shpirt të madh solidariteti dhe mikpritjeje.
Osmani tha se ka filluar tashmë bisedimet me partnerë ndërkombëtarë në Bruksel dhe ka prezantuar projekte të mundshme për përmirësimin e kushteve të jetesës në këtë lagje. “Ka interes të madh për të ndihmuar këtë komunitet të harruar dhe të keqpërdorur për vite me radhë,” theksoi ai.
Ai u zotua se nëse merr besimin e qytetarëve të Çairit, do ta përfshijë lagjen rome në planet konkrete të zhvillimit urban, duke i dhënë asaj vendin që i takon në kuadër të dinjitetit qytetar dhe integrimit të plotë në jetën komunale.