Kandidati i pavarur për Strugën, Menid Qyra, gjatë një vizite në fshatin Labunishtë, ka vënë theksin te potenciali i pashfrytëzuar turistik dhe natyror i kësaj zone. Pas një takimi mëngjesor me banorët, Qyra ka ndërmarrë një ecje në bjeshkët e fshatit, ku është njohur nga afër me bukuritë natyrore dhe problemet që i shoqërojnë ato.
“Shtigje malore, dy liqene akullnajore, burime me ujë të ftohtë, bimësi e rrallë dhe tradita e blegtorisë – kjo është pasuria që Labunishti i ofron Strugës dhe më gjerë. Në çdo vend tjetër të botës, një mrekulli e tillë do të ishte kthyer në krenari të turizmit. Por fatkeqësisht, mungesa e investimeve dhe e vizionit ka bërë që kjo bukuri të mbetet e papromovuar,” deklaroi Qyra.
Ai shtoi se dëgjimi i ideve dhe propozimeve të banorëve është thelbësor për të ndërtuar një plan zhvillimi të qëndrueshëm, që do ta nxirrte Labunishtin dhe zonën përreth në hartën e turizmit malor dhe kulturor.
Qyra premton se, nëse merr besimin e qytetarëve, prioritet i tij do të jetë promovimi i pasurive natyrore dhe investimi në infrastrukturë që do ta kthejë Strugën në një qendër të zhvillimit të turizmit alternativ./Zyrtare.net/