BFI-ja e konceptuar në nivel xhamie

10 Min. Leximi

BFI-ja e konceptuar në nivel xhamie

Institucionet fetare nuk janë thjesht tempull i besimit, por edhe kështjella e identitetit kombëtar dhe vlerave të një populli. Kur ato degradojnë në mentalitete lokale dhe izolim, dobësohet jo vetëm feja, por e ardhmja e kombit

- Advertisement -

Nga Mr. Abaz Islami

- Advertisement -

Në studimet e institucioneve fetare, sidomos në kontekstet ku religjioni luan rol kyç në formësimin e identiteteve kombëtare dhe shoqërore, rëndësia e një institucioni fetar, të unifikuar dhe të fuqishëm, është e pakundërshtueshme. Në Maqedoninë e Veriut, Institucioni më i Lartë Fetar (Bashkësia Fetare Islame – BFI) dikur përfaqësonte jo vetëm një organ fetar, por edhe një faktor kyç në mbrojtjen dhe afirmimin e interesave fetare dhe kombëtare të shqiptarëve dhe, përgjithësisht, të myslimanëve të vendit. Megjithatë, udhëheqja dhe konceptimi i këtij institucioni nga Shaqir Fetai, nga ky instalacion i dhunshëm nga shërbimet e dyshimta në krye të BFI-së, është shfaqur problematik dhe përbën një sfidë serioze për integritetin dhe unitetin e këtij komuniteti.
Në këtë shkrim do të trajtohen disa çështje nga disa perspektiva: mentaliteti lokal dhe izolimi institucional, uzurpimi i institucionit përmes influencave të dyshimta, fragmentimi i xhamive dhe mungesa e kontrollit institucional, si dhe implikimet politike dhe fetare që rrjedhin nga kjo situatë.

Mentaliteti i një “mullai” mëhallash

Poeti ynë i madh, Dritëro Agolli, kishte pas thënë: “Mund të nxjerrësh një katundar nga katundi, por jo katundin nga katundari”! Një nga karakteristikat më të qarta që dalin nga analiza e qasjes së Shaqir Fetait është reduktimi i rolit të BFI-së nga një institucion me autoritet të përgjithshëm në një autoritet të ngushtë lokal, të ngjashëm me rolin e një xhamie të një mëhalle katundi. Ky mentalitet lokalist, sipas teorive të organizimit institucional dhe studimeve sociologjike të institucioneve fetare, është një pengesë serioze për ndërtimin e një institucioni që kërkon të funksionojë në një hapësirë më të gjerë sociale dhe politike. Shaqir Fetait nuk i intereson as zhvillimi institucional, as Kushtetuta, as statutet, as rregulloret e BFI-së, sepse, të gjitha këto akte juridike, nuk janë fort të rëndësishme për një xhami në të cilën shprehet adhurimi ndaj Zotit, në të cilën xhemati falet dhe lutet!
Në filozofinë politike, institucioni është më shumë se thjesht një entitet funksional; ai është një mekanizëm i përcaktimit të autoritetit dhe legjitimitetit në një shoqëri. Kur udhëheqësi institucional percepton veten thjesht si administrator lokal dhe refuzon bashkëpunimin dhe ndërhyrjen në nivele më të gjëra, ai krijon një boshllëk në hierarkinë e autoritetit dhe përçarje në strukturën sociale.

Mentaliteti “pseudo-fetar” i një udhëheqësi të instaluar

Një dimension thelbësor i qasjes së Shaqir Fetait ndaj Institucionit më të Lartë Fetar është mentaliteti i tij “pseudo-fetar”. Ky term i përshtatet një mentaliteti që ka formën dhe pamjen e fesë, por që në thelb është i ngushtë, lokalist, dhe i izoluar nga përgjegjësitë dhe dimensionet reale të udhëheqjes institucionale fetare. Fetai e trajton BFI-në si një xhami të vogël lokale, si një fushë kontrolli ku ai mund të veprojë pa ndërhyrje të jashtme, duke shmangur çdo bashkëpunim dhe dialog institucional me xhamitë e tjera apo komunitetin më të gjerë. Pra, Shaqir Fetai parapëlqen të mos i përzihet askush në “xhami”, prandaj ai as nuk përzihet në xhamitë e hoxhallarëve të pavarur. Me këtë “pavarësim” Shaqir Fetai dëshiron ta thellojë sa më shumë hendekun e përçarjes dhe, mosarritjes deri te një mendim unik për largimin e tij nga kolltuku i pamerituar.
Pra, ky mentalitet shfaqet në refuzimin e tij për t’u përfshirë apo për të lejuar përfshirjen e të tjerëve në “xhaminë” e tij, duke e kthyer këtë institucion fetar në një fortifikim të mbyllur, ku lidhjet me komunitetin fetar jashtë territorit të tij janë minimale ose joekzistente. Një “mulla” i zakonshëm i mahallës në një katund mund të ketë një rol të ngjashëm, por në një kontekst institucional, kjo qasje është e pamjaftueshme dhe shkatërruese për një komunitet të organizuar dhe të shumëfishtë siç është komuniteti fetare islam në Maqedoninë e Veriut.
Mentaliteti pseudo-fetar nuk është vetëm një çështje e mungesës së vizionit, por edhe një lloj kanosjeje për interesat kombëtare dhe fetare, pasi ai minon unitetin, legjitimitetin dhe autoritetin e institucioneve që duhet të jenë faktorë bashkues dhe jo fragmentues. Kjo sjellje izolimi dhe ekskluziviteti është e dëmshme në një kohë kur komuniteti ka nevojë për dialog, transparencë dhe bashkëpunim përballë sfidave të shumta politike dhe sociale.

Uzurpimi i institucionit për ndihmë shërbimeve të dyshimta

Uzurpimi i BFI-së me ndihmën e shërbimeve të dyshimta tregon për një fenomen të njohur në studimet politike si “kapje e shtetit”, ku një individ ose grup interesash merr kontrollin e institucioneve publike ose fetare për qëllime personale apo politike. Kjo çon në deformimin e funksionit kryesor të institucionit dhe në humbjen e legjitimitetit moral dhe ligjor.
Në rastin e BFI-së, kjo situatë është veçanërisht shqetësuese sepse institucioni fetar ka rolin e ruajtjes së një sistemi normativ dhe moral që lidh komunitetin. Kur ky institucion keqpërdoret, nuk dëmtohet vetëm institucionin vetë, por edhe i gjithë komunitetin që ai përfaqëson.

Fragmentimi i xhamive

Një nga pasojat më të rënda të konceptimit lokalist dhe uzurpimit institucional është fragmentimi i komunitetit fetar. Organet (Myftinia e Tetovës, Strugës, Kumanovës, Shtipit, Kërçovës, Dibrës, Shkupit etj.) si dhe xhamitë nëpër këto Myftini që nuk janë nën kontrollin e BFI-së, veprojnë si entitete autonome, duke krijuar një mozaik të pavaruritetit që e dobëson fuqinë kolektive dhe unitetin e bashkësisë.
Nga perspektiva e menaxhimit organizativ, ky fragmentim çon në humbjen e standardeve uniforme fetare, mungesën e transparencës, dhe rrezikun e depërtimit të ndikimeve politike e reiligjioze të panjohura. Politikat e brendshme dhe të jashtme gjejnë terren të lirë në këto xhami të pavarura, duke minuar jo vetëm autoritetin institucional, por edhe sigurinë dhe stabilitetin e përgjithshëm të komunitetit shqiptar.

Ndërthurja e politikës dhe fesë

Shaqir Fetai e ndan politikën nga funksioni i tij fetar në mënyrë të pakushtëzuar, duke besuar se “xhamia e tij” mund të mbetet një hapësirë e lirë nga politika. Ky është një iluzion i rrezikshëm dhe i pabazë në realitetin social. Sipas filozofisë politike moderne, dhe sidomos nga perspektiva e studiuesve si Antonio Gramshi, marrëdhënia midis institucioneve fetare dhe politikës është e pandarë. Institucioni fetar është, në thelb, një arenë ku forcat politike dhe kulturore luftojnë për ndikim dhe legjitimitet.
Mosnjohja e kësaj ndërthurjeje nga ana e udhëheqësit institucional e dobëson më tej autoritetin dhe aftësinë e tij për të menaxhuar interesat fetare dhe kombëtare. Në vend që të jetë një urë lidhëse midis besimtarëve dhe pushtetit politik, BFI-ja tashmë është një insitucion i izoluar dhe i pafuqishëm.

Pasojat për interesin kombëtar dhe fetar

Në një shtet multietnik dhe me sfida të thella politike si Maqedonia e Veriut, ruajtja e unitetit fetar është ngushtë e lidhur me ruajtjen e identitetit kombëtar. Fragmentimi i autoritetit fetar dhe ndikimi i faktorëve të jashtëm politikë e religjiozë, sektarist e ekonomikë në xhamitë e pavarura që janë bërë me dhjetra e qindra në mbarë territorin, janë kërcënime serioze që mund të ndikojnë negativisht në stabilitetin social, politik, kulturor e intelektual tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Ky fenomen krijon hapësira dhe habitat të përshtatshëm për politika e koncepte të huaja që përfitojnë nga dobësia e institucionit për të ndikuar në komunitet, duke e kthyer atë në terren të interesave të ndryshme, shpesh në kundërshtim me interesat kombëtare dhe fetare të shqiptarëve. Më shumë dëgjohet zëri ndikues i “hoxhallarëve të pavarur” se sa i Shaqir Fetait, i cili me mentalitetin e vet të çoroditur po simulon kakofoni dhe anarki totale që shumë shpejt do të prekë palcën e interesave kombëtare!

Nevoja për reformë dhe rikthim në vlerat institucionale

Bazuar në këtë analizë, është e qartë se BFI-së i duhet një reformë e thellë që përfshin një vizion institucional të zgjeruar, larg mentalitetit lokalist, me një autoritet të fortë dhe legjitim në të gjithë territorin ku jetojnë shqiptarët myslimanë. Kjo reformë duhet të synojë rikthimin e besimit në institucion, forcimin e kontrollit dhe transparencës mbi xhamitë dhe aktivitetet fetare, dhe ndërtimin e një marrëdhënie të balancuar dhe të menaxhuar mirë midis politikës dhe udhëheqjes fetare.
Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet që BFI-ja të mbetet një institucion i fuqishëm, që mbron interesat fetare dhe kombëtare, duke kontribuar në stabilitetin, zhvillimin dhe unitetin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull