Partia “E Majta” sot kumtoi se deputeti Amar Mecinoviq do të jetë kandidati i tyre për kryetar të Qytetit të Shkupit.
Në konferencë për shtyp ai i ka theksuar prioritetet e tij – transportin publik, pastërtinë e qytetit, Planin e përgjithshëm urbanistik, luftën kundër ajrit të ndotur…
“‘E Majta’ dëshiron t’i bashkojë të gjithë të cilët janë kundër VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Transporti publik do të jetë prioriteti i parë, për të cilin do të angazhohemi. Në anën e tyre janë paratë dhe fuqia, ndërsa për atë që ne e ofrojmë, ata nuk kanë përgjigje. Kjo është beteja jonë për Shkupin tonë. Për qytetarët duhet të jetë e qartë se votojnë për vullnet politik, e cila na përcaktoi që ne tani të mos kemi autobusë”, tha Mecinoviq.
Kryetari i partisë, Dimitar Apasiev, i cili kumtoi emrin e kandidatit të partisë për kryetar të Qytetit të Shkupit, njoftoi se “E majta” do të paraqitet me numër rekord kandidatësh për kryetarë të komunave.
“Në zgjedhjet e kaluara kishim tetë kandidatë, këtë vit do të garojmë me mbi 20. Paraprakisht kishim 38 lista këshilltarësh, ndërsa këtë vit do të garojmë me mbi 62. Kjo tregon se ‘E Majta’ po rritet nga një parti e vogël politike në një parti mesatare – e madhe politike”, tha Apasiev, duke shtuar se në 3/4 të komunave, partia ka infrastrukturë dhe degë lokale.