Zjarri që kishte shpërthyr mbi fshatin Sllupçan është lokalizuar shpejt dhe është vënë nën kontroll, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza. Përpjekjet për shuarjen e zjarrit i ka koordinuar Drejtori i QMK-së Muhamed Ali nga terreni.
“Sot nga terreni po e koordinoj aksionin për shuarjen e zjarrit që shpërtheu në pyllin me pisha mbi fshatin Sllupçan, Komuna e Likovës. Zjarri është plotësisht i lokalizuar dhe vënë nën kontroll, ndërsa aktualisht po punohet për shuarjen e tij tërësisht”, njoftoi Ali.
Gjatë aksionit për shuarjen e zjarrit, në terren ishte edhe kandidati i VLEN-it për Komunën e Likovës, Nexhmedin Sadiku, bashkë me drejtorin e QMK-së Muhamed Ali dhe ekipin e tij.
“Bashkë me drejtorin e Qendrës për Menaxhim me Kriza, z. Muhamed Ali, koordinuam nga terreni përpjekjet për të shuar zjarrin që shpërtheu në pyllin me pisha mbi fshatin Sllupçan. Zjarri është lokalizuar plotësisht dhe është vënë nën kontroll, ndërsa aktualisht po punohet për shuarjen e plotë të tij. Falënderoj institucionet për reagimin e shpejtë dhe banorët të cilët u kyçën vullnetarisht për ndihmë”, publikoi Sadiku.
Nexhmedin Sadiku ka përsëritur zotimin e tij për themelimin e Njësitit të Zjarrfikësve dhe Shtabin Emergjent gjatë mandatit të tij si kryetar i Komunës së Likovës, pas zjarreve masive këtë verë që gjetën të papërgatitur komunën.
“Në këtë rast, përsëris përkushtimin tim për themelimin e Njësitit të Zjarrfikësve dhe Shtabin Emergjent për Komunën e Likovës. Duhet t’i forcojmë kapacitetet e komunës që qytetarët dhe pronat të mos ngelen në mëshirë të fatit!”, thotë Sadiku.
Në aksionin e sotëm u angazhuan 10 pjesëtarë të “Pyjeve Kombëtare” – dega Kumanovë me 2 automjete të specializuara për shuarjen e zjarreve pyjore, Njësia e Zjarrfikësve nga Kumanova me një automjet, si dhe një numër i madh banorësh vendas. /VOXAL/