Daut Beqiri: Vizioni im është kthimi i dinjitetit të Haraçinës


3 Min. Leximi

Haraçina, dikur e njohur për sportistët, intelektualët dhe kontributin e saj në shoqëri, sot shpesh përmendet për arsye negative. Në një intervistë për portalin Zyrtare.net, kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të komunës, Daut Beqiri, shpalosi vizionin e tij për të rikthyer imazhin e mirë të vendlindjes.

“Të gjithë e dimë se Haraçina ka qenë vatër e sportistëve, intelektualëve, humanizmit dhe sakrificës. Fatkeqësisht, tri dekadat e fundit e shndërruan në vend që shpesh lidhet vetëm me të keqen. Ky realitet duhet të ndryshojë dhe unë e kam planin për ta bërë këtë,” tha ai.

- Advertisement -

Ndërtimi i një Haraçine moderne, sipas Daut Beqirit, fillon nga rinia dhe infrastruktura. Në intervistën për Zyrtare.net, ai renditi prioritetet kryesore që do të ndjekë nëse fiton mandatin si kryetar i komunës.
“Prioritetet e mia janë të qarta: inkuadrimi i rinisë intelektuale në institucionet vendore, investimet në infrastrukturë, zhvillimi i arsimit modern dhe përmirësimi i infrastrukturës sportive. Rinia është energjia e komunës sonë, ndërsa arsimi është çelësi i progresit afatgjatë,” theksoi Beqiri.

- Advertisement -

 

“100 ditët e para – pa humbur kohë” – Beqiri: “Do të fillojmë punën që në ditën e parë”

Ndryshe nga premtimet që mbeten në letër, Daut Beqiri thotë se ekipi i tij tashmë ka nisur punën në terren, para se të nisë zyrtarisht fushata. Në intervistën për Zyrtare.net, ai tregoi se programi i 100 ditëve të para do të përpilohen bashkë me qytetarët.
“Ekipi im po punon çdo ditë me qytetarët për të identifikuar nevojat urgjente. Në 100 ditët e para do të realizojmë projektet më prioritare, të cilat do të jenë të dukshme dhe të prekshme nga të gjithë,” tha kandidati i VLEN.

 

Beqiri për kryetar në Haraçinë: “E mendova dhe thashë: Ja VLEN!”
Daut Beqiri nuk e sheh kandidaturën e tij si një vendim personal, por si një përgjigje ndaj thirrjes së komunitetit. Në intervistën për Zyrtare.net, ai zbuloi se ideja për të garuar lindi nga mbështetja e të rinjve, intelektualëve dhe shumicës së qytetarëve të Haraçinës.
“Këtë e vërejti dhe e vlerësoi edhe koalicioni VLEN, i cili më ftoi hapur që të jem kandidati i tyre. E çmoj besimin e tyre dhe thashë me bindje se ja VLEN!”, u shpreh ai.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull