Banorët e fshatit Nikushtak prej kohësh përballen me mungesën e ujit të pijshëm dhe atij për nevoja higjienike.
Ata detyrohen që për çdo ditë të mbushin ujë për pije nga çezmat publike, si në mesjetë.
VOXAL bisedoi me banorët e këtij fshati, të cilët thonë se mbrëmjeve shpesh presin me orë të tëra në radhë për t’u furnizuar me ujë, duke e kthyer këtë proces në pjesë të përditshmërisë së tyre të vështirë.
” Në mbrëmje duhet të presësh radhën për të mbushur ujë..vetëm për me pi 10 litra, me bidonë 1,5 litra, 2 litra, 5 litra.. Më shumë këtu vijmë e mbushim për me pi e për gjëra tjera shkojmë atje te veranda me mbush, ose dikund tjetër, me cisterna me lënë për shtëpi… ja a e shihni erdhi kombi për të mbushur për pije, pastaj shkojmë te veranda atje për të mbushur cisternat, i derdhin në shtëpi nëpër këso bidonë 1000 litra për të funksionuar në shtëpi”, deklaroi një banor i Nikushtakut.
“Likova është nën pendë, flen nën pendë, gjumin e bën, e ujë për pije nuk ka. Me shku në Kumanovë te maqedonasit, krejt ujin e pendës e shfrytëzojnë. Edhe krejt partive ju bëj apel, le të shkojnë te maqedonasit le të marrin vota, mos të vijnë këtu te shqiptarët, përse te shqiptarët, neve ata nuk na përfaqësojnë…Me ujë tash furnizohemi prej puseve që i kemi, janë jashtë fshatit, i kanë cisternat nga 1000 litra, traktorët i marrin shkojnë i mbushin edhe furnizohen me atë ujë. “, deklaroi një banor tjetër i Nikushtakut.
“Ujë pijmë edhe prej çezmës atje që e kemi edhe këtu…Me cisterna bartin se thatë është koha, ja lëshojnë bahçes a bostanit, për atë janë cisternat…Jo nuk ka gjatë gjithë ditës, se nuk ka mjaftueshëm.”, deklaroi një banor tjetër.
“Qe 100 vite ujë nuk kemi pas. Prej në vitin 2001 po punohet që të na vjen uji…”, theksoi banori tjetër.
Problemin e njëjtë e kanë pothuajse të gjitha vendbanimet e komunës së Likovës. Bashkë me to edhe fshati Likovë ku ndodhet edhe penda që furnizon me ujë Kumanovën.
“Nuk kemi ujë ne në Likovë, ujë për pije nuk kemi ne. Ka 100 vite që nuk kemi ujë për të pirë, çdo ditë na gënjejnë, po e lëshojmë sot ujin, nesër po e lëshojmë, e ujë nuk ka. Ja aty ku e kanë vendosur çezmën, një ditë, atë ditë që inçizuan dhe ujë s’ka më, ne vuajmë për ujë.”, deklaroi një banor tjetër i Nikushtakut.
“Ne 45 vite e kemi pru ujin, edhe ujë kemi vetëm në mëngjes gjysmë ore, 1000 litra ujë i kam, 1000 litra për 24 orë, qato i mbajmë. Tash kanë thënë prej Likove me pru, por, kanë thënë për 10-15 ditë do ta bijnë, tani nuk e di a e bijnë a jo.”, tha një banor tjetër.
“Me bunarë, ka pas nga pak por 2 orë ka pas 2 orë jo.”, deklaroi banori i Nikushtakut.
Penda e Likovës furnizon me ujë të pijshëm gjithë Kumanovën dhe fshatrat përreth, ndërsa banorët e saj vite me radhë kërkojnë të drejtën për një jetë dinjitoze, me ujë të pijshëm nëpër shtëpitë e tyre./VOXAL/