Kryetari i Alternativës dhe njëherësh një nga liderët e VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi, ka bërë thirrje për tifozëri të civilizuar dhe të dinjitetshme në përkrahje të klubit futbollistik Shkëndija. Në një status të publikuar, ai thekson se Shkëndija është krenaria sportive e shqiptarëve dhe simbol i pasionit dhe shpirtit sportiv.
“Shkëndija nuk ka nevojë për thirrje urrejtjeje që na turpërojnë si shoqëri, por për brohorima zemre që na nderojnë si popull,” shkroi Ibrahimi, duke theksuar se stadiumet duhet të jenë vende ku rriten ëndrrat, jo urrejtja.
Ai u bëri thirrje tifozëve që të jenë përherë zëri i Shkëndijës, por një zë që buron nga dashuria dhe respekti, sidomos kur ekipi përfaqëson ngjyrat tona në Europë.
“Me zemër për Shkëndijën. Me dinjitet për veten tonë. Me vlera për brezat që na ndjekin,” përfundon ai, duke theksuar se “Shkëndija jemi të gjithë ne. Dhe, ne jemi më të mëdhenj kur jemi të drejtë.”