Në kuadër të angazhimit të pandërprerë për forcimin e rendit dhe sigurisë në çdo cep të vendit, zëvendësministri i Punëve të Brendshme nga radhët e VLEN, Astrit Iseni, zhvilloi sot një vizitë pune në Njësinë Policore Tearcë.
Kjo vizitë është pjesë e ciklit të takimeve të rregullta me sektorët e punëve të brendshme dhe njësitë operative në terren, me qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Zëvendësministri Iseni u njoftua nga afër me gjendjen e përgjithshme të sigurisë në rajonin që mbulon kjo njësi, ku u diskutuan trendet e dukurive kriminale dhe masat konkrete që po ndërmerren për t’i parandaluar dhe goditur ato.
Në kuadër të diskutimeve me zyrtarët lokalë të policisë, u adresuan gjithashtu edhe çështje të veçanta që lidhen me punën e përbashkët në sferën e sigurisë, si dhe modalitete të reja për rritjen e efikasitetit dhe reagimit të shpejtë në terren.
VLEN mbështet fuqishëm qasjen proaktive të institucioneve të sigurisë, të cilat me përkushtim dhe profesionalizëm punojnë për garantimin e qetësisë dhe rendit publik. “E gjithë kjo është në përputhje me misionin tonë të përbashkët në Ministrinë e Punëve të Brendshme të kujdesemi për sundimin e ligjit dhe për sigurinë e çdo qytetari, në çdo pjesë të territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, theksoi zëvendësministri Iseni.
Koalicioni VLEN mbetet i vendosur në qëllimin për shtet të së drejtës, polici profesionale dhe qytetarë të mbrojtur njësoj, pa dallim.
VLEN: Forcojmë sigurinë lokale, Iseni në vizitë pune në Njësinë Policore Tearcë

Ndani këtë artikull