Deputetja e VLEN-it, Mimoza Musa, ka reaguar me forcë ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe juridike, duke theksuar se gjuha shqipe është realitet kushtetues dhe trashëgimi kombëtare që nuk cenohet nga askush.
Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Musa kritikon ashpër opozitën shqiptare, duke e quajtur “të lodhur” dhe “të dhënë pas teatrit politik”. “Asnjë teatër opozitar, asnjë lëvizje në prapaskenë nuk do të fshijë të vërtetën. Gjuha shqipe është realitet kushtetues dhe trashëgimi kombëtare”, shkruan deputetja.
Ajo thekson se shqiptarët nuk do të dorëzohen as nuk do të mashtrohen, dhe se përpjekjet për të relativizuar apo minuar statusin e gjuhës shqipe janë të destinuara të dështojnë. “Asnjë gjyqtar i emëruar nën tavolinë, asnjë opozitë që bën teatër nuk e ndryshon dot këtë realitet: GJUHA SHQIPE ËSHTË E PAPREKSHME”, përfundon Musa.