Delegacion i lartë nga Brukseli viziton Haraçinën/ Vlerësohet si komunë model në rajon

2 Min. Leximi

Kreu i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi, ka pritur sot në një vizitë zyrtare një delegacion të lartë të Bashkimit Evropian, të udhëhequr nga znj. Silvija de Jakovo, Menaxhere e Programeve në Drejtorinë për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (ENEST), e shoqëruar nga zëvendësdrejtori dhe këshilltarë të tjerë të BE-së.

Qëllimi i vizitës ishte inspektimi i punimeve në projektin e Qendrës për Selektim të Mbeturinave, që po ndërtohet në Haraçinë – projekti i parë i këtij lloji në të gjithë Maqedoninë e Veriut.

- Advertisement -

“Ishte një nder i madh për ne që të mirëpresim një delegacion të tillë të lartë. Vizita e tyre konfirmon se puna dhe përkushtimi ynë po vlerësohen edhe në Bruksel,” deklaroi Ibraimi.

Gjatë takimit, kreu i komunës prezantoi sfidat më të mëdha me të cilat përballet Haraçina, përfshirë furnizimin me ujë të pijshëm, trajtimin e ujërave të zeza dhe çështjen e ujit për ujitje. Delegacioni shfaqi interes të theksuar për këto çështje dhe premtoi mbështetje konkrete në drejtim të zgjidhjes së tyre.

Pas takimit, delegacioni dhe përfaqësuesit komunalë vizituan kantierin e punimeve, ku u evidentua progres i kënaqshëm. Palët u dakorduan për intensifikimin e punës me qëllim që qendra moderne për selektim mbeturinash të përfundojë sa më parë dhe të vihet në funksion.

Ky vlerësim nga Bashkimi Evropian për Haraçinën si komunë model në Ballkanin Perëndimor përbën një moment kyç për zhvillimin e mëtejshëm të komunës dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

- Advertisement -

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull