Kandidati i pavarur për komunën e Strugës në zgjedhjet lokale, i mbështetur nga koalicioni qeveritar VLEN, Mendi Qyra, ka përshëndetur fillimin e fazës së parë të zëvendësimit të rrjetit të ujësjellësit në qytet, projekt që synon eliminimin e gypave të vjetër të azbestit.
“Sigurisht që unë, si kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, ndihem krenar pikërisht sepse vij nga Struga, dhe projekte të tilla që qytetarët prej kohësh i kërkojnë si ndërrimi i gypave të azbestit për të cilët kemi folur disa herë dhe për të cilët kanë raportuar të gjitha mediumet se janë kancerogjene, më në fund po marrin vëmendjen e merituar”, tha Qyra.
Ai e quajti këtë ndërhyrje një “projekt kapital” dhe një hap të parë drejt përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës së ujësjellësit në qytet.
“Për këtë projekt do të duhen ende investime që, së paku për 2-3 vitet e ardhshme, të arrijmë qëllimin që të ndërrohen të gjithë këto gypa dhe qytetarët të marrin ujë të pastër nga gypat e rinj”, theksoi Qyra.
Ai i bëri thirrje qeverisë që të vazhdojë me projekte të ngjashme, duke theksuar se Struga ka nevojë urgjente për investime në shumë fusha.
“Uroj që projekte të tilla të jenë sa më të shumta, sepse kemi edhe projekte të tjera, të cilat besoj se në të ardhmen do t’i dëgjoni dhe do të shihni se sa të nevojshme janë për qytetarët e Strugës”, përfundoi Qyra.