Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka zhvilluar një takim me qytetarët e komunës së Çairit, nga ku ka prezantuar planin qeveritar për punësim në vlerë prej 40 milionë euro.
Në një status në rrjetet sociale, Mexhiti theksoi se “qeverisja nuk bëhet në zyrë, por në rrugë, sy më sy me njerëzit”, duke shtuar se qytetarët nuk kërkojnë më premtime, por veprime konkrete.
“Dje Çairin e dëgjuam. Bashkëbiseduam. Bashkëndërtuam… Dhe ajo që dëgjuam ishte e qartë: njerëzit nuk duan premtime, duan të veprojmë. Dhe veprimi ka nisur,” shkruan Mexhiti.
Plani i ri për punësim, sipas tij, synon të mbështesë të rinjtë që kërkojnë të ecin përpara, nënat që duan të rikthehen në tregun e punës si dhe çdo qytetar që kërkon një mundësi të ndershme dhe të barabartë.
Mexhiti bëri të ditur se buxheti për punësim është rritur me 7.5 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar, duke e cilësuar këtë si një hap konkret drejt fuqizimit ekonomik dhe barazisë sociale.
“Çair, ti nuk pret ndryshimin. Ti je vetë ndryshimi”, përfundon ai.