Tragjedia në Koçan, ndërpritet hetimi për 9 persona, mes tyre dy ish ministra

4 Min. Leximi

Prokuroria ka ndërprerë hetimet për 9 persona, në mesin e tyre dy ish ministra të Ekonomisë, përshkak të provave të pamjaftueshme. Ndërsa ka ndaluar përndjekjen penale për dy persona, njëri ka ndërruar jetë gjatë mjekimit dhe për tjetrin për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Këtë e bëri me dije sot prokurori shtetëror Lupço Kocevski gjatë shpalosjes së aktakuzës për rastin e djegjes së diskotekës “Puls” në Koçan në të cilën humbën jetën 62 persona dhe rreth 200 të tjerë u lënduan. Tani të dyshuar mbeten 34 persona, të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë publike, me përjashtim të një të akuzuari, i cili dyshohet se ka pranuar ryshfet për përgatitjen e licencave të rrejshme që të mund objekti të funksionoj si kabare. Të dyshuar sipas aktakuzës janë pronarët e diskotekës, anëtarë të familjeve të tyre, arkitektja, ish kryetarë komunash, inspektorë, ish ministra dhe zyrtar shtetëror të Ministrisë së Ekonomisë.

Sipas prokurorisë, objekti nuk i ka plotësuar as kushtet minimale teknike për veprimtari hotelierie, nuk ka pasur vendim për rindërtim nga kryetari i komunës së Koçanit, objekti nuk kishte projekt rindërtimi, nuk kishin raporte, si dhe një raport të veçantë për mbrojtje nga zjarret, shpërthimet dhe substancat e rrezikshme.

- Advertisement -

Në mesin e të dyshuarëve sipas kryeprokurorit është edhe vëllai i pronarit të diskotekës “Puls”, i cili i ka shitur biletat.

LUPÇO KOCEVSKI, PROKURORI SHTETËROR PUBLIK

“Në mënyrë të vazhdueshme në marrëveshje me vëllanë, nuk ka vepruar në përputhje me rregullat teknike për mbrojtje, nuk ka mbajtur evidencë dhe ka shitur një numër më të madh biletash, ka lejuar kështu hyrjen e një numri më të madh vizitorësh sesa numri i lejuar, ka lejuar hyrjen e personave nën moshën 18 vjeç në objekt edhe pse ishte në dijeni se objekti nuk plotësonte asnjë kusht sigurie për mbrojtje nga zjarri dhe e dinte për aktivitetet e paligjshme të rindërtimit”.

Të akuzuar janë edhe tre ish kryetarë komunash.

- Advertisement -

LUPÇO KOCEVSKI, PROKURORI SHTETËROR PUBLIK

“E kanë përfaqësuar komunën, ishin të detyruar të respektonin Planin e detajuar urbanistik, e dinin se objekti përbënte rrezik për sigurinë sepse nuk i plotësonte kushtet, dhe Plani i detajuar urbanistik nuk lejonte të ekzistonte një kabare në atë lokacion, dhe nuk ndërmorën asnjë veprim për mbylljen e kabaresë. Pa u regjistruar ky objekt në regjistrin e Komunës, ata i mundësuan të akuzuarit të parë të paguante kompensim për aktivitete hoteliere në shumën prej 4 mijë eurosh”.

Ndërsa duke shpjeguar momentin e shpërthimit të zjarrit, Kocevski sqaroi se mjetet piroteknike në diskotekë ishin sjellur nga anëtarët e grupit DNA dhe se ato ishin përdorur në kushte jo të sigurta. Ato theksoi më tej Kocevski, se kanë hedhë shkëndija drejtë çatisë, ku zjarri u përhap fillimisht në tavan dhe pastaj në gjithë objektin. Materialet ndërtimore të objektit shtoi ai, nuk ishin të mbrojtura nga zjarri. Ndërsa më tej, dera e vetme e evakuimit përmes të cilës mund të dilnin të pranishmit në diskotekë nuk ishte e sigurt, pasi kishte një derë të dyfishtë që ishte pengesë për lëvizjen.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull