Në seancën e 40-të të Këshillit për zhvillim të barabartë rajonal me të cilën sot kryesoi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski u shqyrtuan dhe u miratuan vendimet paraprake për shpërndarjen e mjeteve nga Programi për zhvillim të barabartë rajonal. Praktikisht, me këtë përfundoi faza e parë e shpërndarjes së mjeteve nga Programi buxhetor për zhvillim të barabartë rajonal dhe vendimet do t’i dorëzohen Qeverisë për miratim, gjë që do të mundësojë financimin e 47 projekteve me një vlerë të përgjithshme prej rreth 116 milionë denarësh.
Siç theksohet në njoftimin e Ministrisë, projektet që do të mbështeten janë të orientuara drejt zhvillimit të rajoneve planore, zonave me nevoja të veçanta zhvillimore, fshatrave dhe zonave urbane, pasi ky program paraqet një instrument kyç për sigurimin e zhvillimit të barabartë në të gjithë vendin, ndërsa mjetet ndahen sipas shkallës së zhvillimit të rajoneve, ku mbështetjen më të madhe e marrin rajonet me shkallën më të ulët të zhvillimit.
“Ky program është me rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë. Shpërndarja e përshtatshme e mjeteve financiare do të kontribuojë në forcimin e komuniteteve lokale, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për jetesën e qytetarëve”, theksoi ministri Perinski pas seancës së Këshillit i cili praktikisht është një trup koordinues ndërmjet ministrive përkatëse që kanë programe buxhetore me ndikim në zhvillimin rajonal, por gjithashtu siguron edhe koordinimin me Këshillat për zhvillimin e rajoneve planore ku marrin pjesë kryetarët e komunave nga rajoni përkatës planor.