Një grup profesorësh që duan të mbesin anonim deri në një kohë të caktuar, njoftojnë redaksinë tonë se në Universiteti “Nënë Tereza” nuk po përjeton vetëm një krizë politike e morale – por një transformim të qëllimshëm etnik dhe identitar, i cili po realizohet përmes strukturave të reja të udhëheqjes, transmeton zhurnal.mk.
Sipas tyre, pas ardhjes së rektorit të ri, është vënë në lëvizje një plan i qartë për maqedonizimin e universitetit. Në një institucion ku studentët maqedonas janë në përqindje të vogël, po imponohet që njësitë akademike të drejtohen nga kuadro maqedonase – jo në bazë të meritës, por në bazë të presionit politik.
“Ky është asimilim institucional, i mbështjellë me emrin e barazisë.
Në vend të respektimit të përbërjes reale të studentëve dhe stafit akademik, po instalohet një dominim etnik artificial, që synon të ndryshojë identitetin, karakterin dhe drejtimin e një universiteti që duhej të ishte krenari e komunitetit shqiptar.
Kjo strategji është e qartë: emërime të politizuara të prorektorëve, dekaneve, senatorëve dhe sidomos Sekretarit Gjeneral – një ish-ministër i BDI-së – janë thjesht fasada për të fshehur procesin e kontrollit të plotë dhe zëvendësimit të shqiptarëve në pozita drejtuese.
Ndërkohë, profesorati shqiptar hesht – jo nga pajtimi, por nga frika e hakmarrjes dhe e izolimit profesional.
Ky maqedonizim nuk është rastësi – është politikë e menduar. Dhe nëse nuk flitet sot, nesër do të jetë vonë. Universiteti “Nënë Tereza” nuk është hapësirë eksperimentale për lojëra etnike, por është themeluar për të forcuar dijen dhe përfaqësimin e shqiptarëve në arsim të lartë.
Nuk mund të lejojmë që në emër të një “reforme”, të fshihet identiteti, historia dhe roli i këtij institucioni. As nuk mund të pranojmë që përmes emërimeve nën tavolinë të ndërtohet një strukturë që e sheh shqiptarët si problem dhe heshtjen si zgjidhje.
Koha për të folur është tani. Nesër mund të jemi spektatorë të shuarjes së një universiteti që dikur ishte shpresë e komunitetit shqiptarë.”, theksojnë ata, transmeton Zhurnal.mk