Pesë studente të Fakultetit Juridik të UP-së kualifikohen në rundet finale të garës së drejtësisë në Gjermani

3 Min. Leximi

Pesë studente të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës janë kualifikuar për rundet verbale të garës prestigjioze të drejtësisë “Nuremberg Moot Court 2025”, e cila pritet të mbahet më 23-26.07.2025.

Ekipi i Fakultetit Juridik të UP-së është i përbërë nga: Morea Pula, Rea Hadri, Liza Rexhepi, Enxhi Avdyli dhe Greta Spahiu, si dhe trajnerët Besnik Beqaj, asistent si dhe Nisa Ferati e Argjira Asllani, të diplomuara të Fakultetit Juridik dhe pjesëmarrëse në “Nuremberg Moot Court 2023”.

- Advertisement -

Sipas njoftimit të Fakultetit Juridik të UP-së, ekipi i tyre është në mesin e 40 fakulteteve/universiteteve prestigjioze botërore që janë kualifikuar për rundet finale me gojë nga 140 ekipe pjesëmarrëse në fazën e shkrimit të memorandumeve.

Këto runde do të mbahen në ambientet e Gjykatës së Nurembergut, në Sallën historike Nr. 600, ku janë gjykuar përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore.

“Ky është një sukses dhe mundësi e jashtëzakonshme, e përballjes dhe shkëmbimit të dijës nga fusha e së drejtës penale ndërkombëtare në një komunitet të juristëve botërorë (profesorëve dhe gjyqtarëve të kësaj fushe, që janë edhe pjesë e jurisë) ku simulohet praktika e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC)” – thuhet në njoftimin e Fakultetit Juridik të UP-së, më 23.05.2025.

Fakulteti Juridik i UP-së ka treguar se gara e drejtësisë “Nuremberg Moot Court” është në mesin e garave me prestigjioze botërore, e që nga viti 2022 është pjesë integrale e programit të përhershëm të tyre.

- Advertisement -

“Ky sukses i radhës i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, konfirmon cilësinë e studimeve në UP dhe afirmon përspektivën e juristëve të rinjë në Republikën e Kosovës” – kanë theksuar nga Fakulteti Juridik i UP-së.

Mirëpo, ky nuk është suksesi i vetëm i studentëve të Fakultetit Juridik të UP-së, pasi gjashtë studentë të Fakultetit Juridik më 29.03.2024, arritën të hyjnë në top-treshen më të mirë në botë në një konkurrencë prej rreth 400 universitetesh nga e gjithë bota në garën prestigjioze të drejtësisë në botë, “Willem C Vis International Arbitration Moot”, në Vjenë të Austrisë.

Kurse, më 02.04.2024, këta gjashtë studentë fitues të vendit të tretë në “Willem C Vis International Arbitration Moot”: Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa dhe Rea Hadri morën mirënjohje presidenciale nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull